E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia festoi 60-vjetorin e formimit të qeverisë së parë

18/04/2005  Emri, kufiri dhe simbolet shtetërorë – ende të pazgjidhur

Përfaqësuesit politikë të maqedonasve dhe të shqiptarëve në Maqedoni, nuk lëshojnë pe ndaj grekëve, sa i përket emrit të vendit të tyre, Republika e Maqedonisë. Ndërkaq, çështja e kufirit me Kosovën, mbetet të përcaktohet pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Për flamurin, himnin dhe stemën e Maqedonisë, premtohet se do të gjenden zgjidhje kompromisi mes përfaqësuesve politikë të maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe bashkësive të tjera etnike që jetojnë në këtë vend.

”Sot, po e përkujtojmë dhe, në këtë mënyrë po i shprehim mirënjohje, një ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në historinë e popullit maqedonas, dhe të popujve të tjerë që jetojnë në Maqedoninë e pavarur, të mëvetësishme dhe sovrane. Kjo ngjarje që po e përkujtojmë dhe të cilës po i shprehim mirënjohjen tonë të thellë, është formimi i Qeverisë së parë të Maqedonisë së atëhershme Federale, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që ishte organi më i lartë politik i dalë nga KACKM. Në ditën e sotme, para 60 vjetësh, më 1945, ai organ nxorri aktin e parë politik për formimin e Qeverisë Federale të Maqedonisë, -kështu, ka thënë të shtunën në Shkup, Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, në një solemnitet rasti, ku merrnin pjesë dhe shumë të ftuar , qeveritarë, deputetë, diplomatë të akredituar në Shkup, gazetarë e të tjerë.

Kremtimi i 60-vjetorit të themelimit të Qeverisë së parë të Maqedonisë, në kohën e ish-Jugosllavisë Federale, po bëhet me shumë solemnitet në Shkup, për ç'ka është themeluar dhe një Këshill, në krye të të cilit, është Presidenti Cërvenkovski, ndërsa me këtë rast, janë mbajtur edhe më shumë solemnitete, përurime të botimeve speciale në këtë jubile si, monografia “Gjashtëdhjetë vjet të qeverive të Maqedonisë” – botim në rusisht, frengjisht dhe anglisht, por jo edhe në shqip(!), është hapur dhe një ekspozitë e fotografive të qeverive e të qeveritarëve të deritashëm të Maqedonisë, ndërsa të hënën, më 18 prill, është paraparë që këto manifestime, të përmbyllen në Kuvendin e Maqedonisë me përurimin e dy botimeve të tjera – “Nga KACKM deri sot”, i Jançevit dhe Mirceskës dhe “Kryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë 1944-2004”, libër i Popovskit dhe Spirovskit.

Qeveria e parë e Maqedonisë Federale, është themeluar më 16 prill të vitit 1945, me vendim të Mbledhjes së Tretë të KACKM-së, ndërsa kryeministër i parë, ka qenë Llazar Kolishevski. Maqedonia deri më tash, asnjëherë në historinë e saj nuk ka patur kryeministër shqiptar, por ka patur kryetar të Kuvendit në kohën e monizmit, në vitet e fundit të 80-tave, e ai ishte Dr.Vullnet Starova.

Maqedonia, tani shtet i pavarur dhe Sovran nga 8 shtatori i 1991, në historinë e saj 60-vjecare, ka patur megjithatë edhe baticat dhe zbaticat e veta dhe tri periudha të zhvillimit të saj. Nga 1944 deri më 1990, përjetoi kohën e komunizmit, si gjithë vendet në ish-Jugosllavi, nga 1991 deri më 2001 e pati periudhën e saj kur politikanët maqedonas tentuan me çdo mënyrë që ta bënin shtet vetëm të maqedonasve, duke i cilësuar të tjerët si minoritarë, madje edhe shqiptarët që janë popullatë e cila përbën më shumë se 25 për qind të popullsisë së vendit, dhe periudhën e pasluftës së 2001 dhe të Maqedonisë së re, të Marrëveshjes së Ohrit, kur kanë filluar të jepen shenja të konsiderueshme të barazisë së bashkësive etnike që jetojnë në këtë vend.

Megjithatë, Maqedonia ende i ka të pazgjidhura definitivisht disa nga çështjet themelore të shtetësisë, siç janë emri, të cilin nuk ia pranojnë grekët, punën e përshkrimit të kufirit me Kosovën, por edhe simbolet e veta shtetërore – flamurin, stemën dhe himnin, të cilat përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në këtë vend në krye me Ali Ahmetin, kërkojnë që të ndërrohen dhe të përshtaten me realitetin e ri, të Maqedonisë së re, siç e cilëson Ahmeti në politikën e tij, të kohës së pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

Shqiptarët dhe maqedonasit nuk ua japin emrin grekëve

Sa i përket vetë emrit të Maqedonisë, për të cilin po vazhdojnë negociatat me ndërmjetësues z.Mejuh Nymiç, përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, edhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve e, edhe të maqedonasve, pajtohen se ky është emër i vendit të tyre, ndërsa pala greke doli me një propozim me zgjidhje të dyfishta – Republika e Maqedonisë – Shkupi. Bisedimet për këtë çështje po vazhdojnë dhe, duket se kompromisi më i madh që mund të bëhet me grekët, do të jetë emri i dyfishtë për Maqedoninë – vetë Maqedonia do ta quajë veten Republika e Maqedonisë, siç është njohur edhe nga SHBA-të dhe siç pritet të njihet edhe zyrtarisht, nga pjesa dërrmuese e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa grekët do të vazhdojnë ta quajnë si të duan, por shumë shpejt, edhe ata do të përcaktohen për zgjidhjen e tyre.

Edhe Solana thotë se përshkrimi i kufirit duhet të bëhet pas definimit të statusit final të Kosovës

Sa i përket kufirit me Kosovën dhe përshkrimit të tij, palës maqedonase i ngutet që, këtë punë ta bëjë para definimit të statusit final të Kosovës, siç tentoi ta zgjidhë me hile, në fillim të vitit 2001, kur pala maqedonase, qeveritare, ku merrte pjesë në Qeveri edhe garnitura e atëhershme shqiptare e udhëhequr nga Arbën Xhaferi dhe Menduh Thaçi, kur lidhi një marrëveshje me Qeverinë e Beogradit, që parashihte edhe përshkrimin e kufirit me Kosovën, në kohën kur Kosova tashmë ishte nën protektorat të Kombeve të Bashkuara dhe nën mbrojtje të kufijve të saj nga KFOR-i.

Deklaratat me një kërkesë të tillë, të Cërvenkovskit e të Buçkovskit dhe të Mitrevës, që përshkrimi i kufirit të bëhet sa më shpejt, para se të definohet statusi final i Kosovës, ndikuan edhe në mospritjen e Buçkovskit nga presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë si kryeministër, kur mori pjesë edhe në hapjen e Përfaqësisë Ekonomiko-Tregtare të Maqedonisë në Kosovë.

Një deklaratë e fundit e Havier Solanës, komisionar për Politikë të jashtme i BE-së, se kjo punë duhet të shtyhet pasi të definohet statusi final i Kosovës, duket se e ka ulur pak topin në tokë, dhe mund të ndikojë dukshëm në zbutjen e tensioneve të panevojshme mes Shkupit zyrtar dhe Prishtinës, e cila me asnjë deklaratë publike të zyrtarëve të saj, nuk ka shprehur ndonjëherë as pretendime territoriale e as të tjera ndaj Maqedonisë, por gjithmonë, pa ndonjë prononcim zyrtar, ka dëshmuar se e njeh emrin e Maqedonisë.

Simbolet shtetërore duhet t’i përshtaten realitetit të ri Maqedonisë së pasmarrëveshjes së Ohrit

Për punën e simboleve shtetërore të këtij vendi – flamurit, stemës dhe himnit, që deri më tash kanë karakteristika vetëm maqedonase, por jo edhe të popujve apo bashkësive të tjera etnike që jetojnë në vend, jo vetëm që ka mospajtime mes maqedonasve dhe shqiptarëve – të parët kërkojnë mbetjen e tyre, se ata kanë vetëm këtë shtet të tyre(!), si thonë disa nacionalistë maqedonas, ndërsa pala shqiptare, tashmë ka dalë jo vetëm me kërkesa, por edhe me përgatitje të propozimligjeve për ndërrimin e tyre dhe përshtatjen me realitetin e ri në Maqedoninë e re, të pasmarrëveshjes së Ohrit.

“Flamuri shtetëror i Maqedonisë duhet të reflektojë karakterin multietnik të shtetit, ndërsa maqedonasit duhet të hapin debat mes veti, nëse duhet të kenë flamur kombëtar, apo flamurin shtetëror do ta përdorin si flamur kombëtar”, ka thënë për mediat në Shkup, Rafiz Halite, njëri nga nënkryetarët e BDI-së.

E njëjta gjë vlen edhe për stemën e vendit dhe për Himnin e Maqedonisë, që tash për tash, me karakteristikat e tyre u takojnë vetëm maqedonasve, por jo edhe shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në Maqedoni, gjë për të cilën dhe kërkohen dhe propozohen ndryshime.

Sa i përket përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar nga shqiptarët e Maqedonisë, që shpeshherë këtu cilësohet si përdorim i flamurit të një shteti të huaj, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të maqedonisë, si gjithmonë, edhe tash thonë se asnjëherë nuk do të pranojnë ndryshim të tij, duke i shtuar ndonjë element tjetër, të huaj për të, sepse , thonë ata, “në qoftëse pranojmë ndryshime në flamurin kombëtar shqiptar, atëherë nuk do të jemi pjesë e kombit shqiptar”.

Ndryshime të flamurit kombëtar shqiptar, thonë disa prej tyre, nuk mund të bëjnë as garniturat qeveritare shtetërore të Shqipërisë, se simbolet kombëtare, siç është dhe Flamuri, u përkasin shqiptarëve kudo që janë. Ato, garniturat qeveritare shtetërore të Republikës së Shqipërisë, mund të bëjnë ndryshime vetëm në flamurin shtetëror, në stemën dhe në Himnin e Shtetit, siç po praktikohet vendosja e Përkrenares së Skënderbeut, që do të mund ta dallonte edhe Flamurin Kombëtar Shqiptar nga ai shtetëror i Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›