E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Kryeziu", hetime edhe në Iran

Kanë kaluar dy javë nga
dita që Ismet Kryeziu u
largua dhe deri më sot
nuk ka asnjë shenjë nëse
ai është gjallë apo jo. Nga dita në
ditë, ngjarja e mistershme duket
se po bëhet edhe më e vështirë
për t‘u zbardhur, ndërsa policia
po e ndjen veten edhe më të
"ndrydhur" për të gjetur fakte
të reja. Por, familja e tij, ende
mban shpresë se një ditë ai do
të gjendet. Çështja e aktivistit
kosovar, me një jetë të trazuar, ku
tri herë është arrestuar për akuza
"të fabrikuara" nga tri shtete të
ndryshme, duket se nuk do të
mbyllet shpejt. Për më tepër, tani
që hetimet janë shtrirë deri në
Iran, atje ku është vërtetuar se ai
ka bërë dy vizitat e fundit, para
zhdukjes.
Pikërisht këtu janë përqendruar
aktualisht hetimet e grupit
të punës në Drejtorinë e Përgjithshme
të Policisë së Shtetit,
të cilët ndodhen përballë një
çështjeje shumë enigmatike.
Gjatë 14 ditëve, që ata po hetojnë
këtë dosje, pa autor, pa motiv, e pa
shumë fakte të tjera, kanë zbuluar
se Ismet Kryeziu kishte udhëtuar
dy herë drejt Iranit. Udhëtimet
e tij janë bërë nëpërmjet Turqisë
dhe mendohet se ai kishte
shkuar në Iran për zgjidhjen e një
çështjeje shëndetësore në favor të
një miku të tij nga Kosova. E atje
mbetet edhe shpresa e policisë
shqiptare, për të kapur "fillin"
e veprimeve në ditët e fundit
të tij. Nëpërmjet ambasadës
iraniane është kërkuar ndihmë
nga qeveria e atjeshme në lidhje
me të dhënat nga organet
e specializuara aty që mund të
kenë me të zhdukurin 54-vjeçar.
Kështu, me anë të një shkrese,
policia shqiptare lutet për sa më
shumë informacion mbi mikun
e Remzi Hoxhës, me qëllim dokumentimin
e kësaj dosjeje të
rëndësishme. Gjithashtu, hetimet
po zhvillohen njëkohësisht edhe
në Kosovë, ku po kontaktohet
me shumë njerëz të njohur të
Kryeziut, me qëllim nxjerrjen në
dritë të ndonjë fakti tjetër, përveç
borxhit ndaj një biznesmeni, fakt
që mohohet sistematikisht nga e
shoqja Anila Leli.
Megjithatë, problematik
mbetet fakti i "zhdukjes" së telefonatës
që nxori nga banesa
Ismet Kryeziun. Sipas të dhënave
nga prokuroria, në tabulatet
e sekuestruara është zhdukur
kjo telefonatë, e cila ka ngritur
paralel dy pista hetimore. E para
ka të bëjë me dyshimet pse është
zhdukur telefonata dhe nëse ka
pasur interesa të tjera "madhore"
për fshirjen e saj. Ndërsa e
dyta ka të bëjë me vërtetësinë
e kallëzimit për këtë telefonatë.
Burimet policore shpjeguan
se për këtë telefonatë është
studiuar edhe njëherë dëshmia
e gruas së Kryeziut, Anila Leli,
e cila bashkë me të atin kanë
konfirmuar thirrjen që ishte
bërë nëpërmjet telefonit. Në
dëshminë e tyre, ata kanë thënë
se Ismeti ndodhej në dhomën e
gjumit, kur foli në telefon dhe
tha se për pesë minuta do të
shkonte të takonte dy persona.
Për këtë dëshmi, policia ka nisur
verifikimin e vërtetësisë për të
zbuluar nëse telefonata është
kryer në atë kohë apo jo. Por Leli
ka qenë ajo e cila ka kërkuar me
ngulm që policia të mos e zvarrisë
këtë dosje, por të mundohet ta
zbardhë sa më shpejt, me qëllim
mosmbylljen e saj. Dosja e Kryeziut
pritet që të kalojë te Krimet e
Rënda, për shkak të funksioneve
të tij publike dhe rrethanave
misterioze... Gjithashtu, edhe
Interpol pritet që emrin dhe foton
e tij ta shpërndajë "si person
në kërkim" në të gjitha vendet e
botës me të cilat bashkëpunon.
Madje, Interpol Tirana ka nisur
që tani që emrin dhe foton e tij
ta dërgojë në vendet fqinje. Sipas
dosjes, Ismet Kryeziu u zhduk dy
javë më parë, pikërisht më datë
15 të këtij muaji dhe që nga ajo
ditë nuk është marrë asnjë informacion
për fatin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›