E Diel, 1 Nëntor 2026

Krahu i Al Kaeda-s liron 2 pengje me kombësi spanjolle


Krahu verior afrikan i organizatës terroriste të Al Qaeda-s liroi dy pengje me kombësi spanjolle, si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e një militanti, bëri të ditur të dielën televizioni Al-Arabia. Lirimi i dy pengjeve lidhet me riatdhesimin e një militanti nga Mali i cili ishte dënuar për rrëmbimin e tre punonjësve të ndihmës duke përfshirë edhe dy pengjet njoftoi televizioni. Një zyrtar nga Mali njoftoi se 2 pengjet nga Spanja janë liruar. "Ne konfirmojmë lirimin e tyre," tha ai duke folur në kushte anonimiteti dhe duke mos dhënë shumë detaje. Gazeta spanjolle El Pais citon burime të qeverisë duke konfirmuar lirimin e dy pengjeve, edhe pse një zëdhënës i ministrisë së Jashtme tha se nuk mund të japë konfirmim zyrtar. Al Kaeda pati bërë të ditur më parë përfshirjen e saj në rrëmbimin e tre spanjollëve në nëntorin e kaluar të cilët po udhëtonin me një autokolonë.
Organizata terroriste liroi në mars Alicia Gomes, njërën nga pengjet. Grupi i kërkoi 5 milionë dollarë shpërblim dhe lirimin e të burgosurve islamikë në shkëmbim të dy pengjeve të tjera, njoftoi në mars El Pais. Organizata e Al Kaeda-s AQIM ka thënë se Spanja është një nga objektivat e saj, pasi ajo është një aleate e Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e strukturave të NATO-s.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›