Krasniqi: BE-ja e padrejtë ndaj Kosovës
Në një intervistë për “Radio Dukagjin”, Krasniqi ka sqaruar se krimi i organizuar në Serbi dhe në Malin e Zi nuk është më i ulët se në Kosovë. “Kosova është vendi më i izoluar në botë. Qytetarët e shtetit më të ri kanë të drejtë të lëvizin vetëm në pesë vende pa viza, e si për ironi të fatit, para Kosovës është Afganistani, banorët e të cilit shtet mund të udhëtojnë në 22 vende pa kurrfarë vize”, thekson Krasniqi. ”Bashkimi Evropian i ka bërë një padrejtësi qytetarëve të Kosovës për faktin se ata, pa fajin e tyre, për 90 vjet kanë qenë të nënshtruar të një politike të egër të shkatërrimeve, dëbimeve dhe të shfarosjes, të cilën e ka parë e gjithë bota. Mendoj që pengesë kryesore është çështja politike, dhe kjo nuk vjen nga Kosova por vjen nga BE-ja, sidomos nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaron ai. Sipas Krasniqit, nuk është arsye që Kosova ka krim të organizuar për të mbetur jashtë listës së bardhë të Schengenit.