Krasniqi, Brukselit: “Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e njeriut”
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të këtij shteti, Jakup Krasniqi, ka prezantuar gjatë ditës së djeshme në Bruksel Kushtetutën. Të pranishëm në këtë takim që do të zgjasë dy ditë ishin edhe zëvendës kryeministri Ramë Manaj si dhe 6 deputetë të Kuvendit. Delegacioni kosovar u takua me kryetarin e Parlamentit Europian, Hans Gert Potering dhe kryetaren e Komisionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Doris Pak. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka garantuar deputetët e Parlamentit Europian se Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi më 15 qershor dhe do të garantojë të drejtat e njeriut. Ai me këtë rast ka premtuar se në Kosovë nuk do të përsëriten më incidente ndëretnike. “Kushtetuta e Kosovës e cila do të hyjë në fuqi së shpejti garanton të drejtat e njeriut në bazë të standardeve më të larta demokratike. Nga ana tjetër dua të theksoj se incidentet ndëretnike në Kosovë i përkasin të kaluarës”,-është shprehur Krasniqi. Ndërsa zv/kryeministri Ramë Manaj ka bërë të ditur se dilemat rreth mandatit të pranisë së ardhshme civile dhe shtyrja e vendosjes së EULEX-it janë shqetësuese për qeverinë edhe pse mendohet se ato nuk do të kenë pasoja serioze. Sipas tij, me gjithë vonesat për EULEX-in, qeveria do t’i marrë të gjitha kompetencat pas 15 qershorit. Ai deklaroi se qeveria e Kosovës është e shqetësuar për mosmarrëveshjet ndërmjet OKB-së dhe BE-së, lidhur me fillimin e punës së misionit të BE-së për polici dhe drejtësi. Megjithatë ai ka thënë se kjo është një çështje ndërkombëtare dhe nuk do të ketë ndikim në punën e institucioneve të Kosovës. “Kushtetuta do të hyjë në fuqi më 15 qershor. Institucionet e Kosovës do t’i marrin të gjitha përgjegjësitë që deri tani i ka pasur UNMIK-u dhe kjo nuk lidhet me fillimin ose mosfillimin e punës së misionit të EULEX-it”,-u shpreh zv/kryeministri. Situata e ndërlikuar e periudhës kalimtare në Kosovë është diskutuar gjatë ditës së djeshme nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap De Hop Shefer dhe kreu i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apaturaj është shprehur për këtë takim se Shefer dhe Ban Ki Mun kanë qenë dhe do të jenë në kontakt lidhur me Kosovën. Kur bëhet fjalë për UNMIK-un dhe EULEX-in NATO-ja dëshiron një situatë në të cilën rolet dhe përgjegjësitë të jenë të qarta. Ndërkohë gjatë ditës së sotme Ban Ki Mund do të takohet me Shefin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Havier Solana në të cilin do të diskutohet rreth Kosovës. Para takimit Solana është shprehur se në këtë takim do të mësohet më shumë sesi po rrjedhin gjërat nga ana e OKB-së.
Ai shfaqi shpresën se do të kapërcehen dallimet për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë.
29 Maj 2008