Ndotja, ja pesë zonat ku nuk mund të bëhet plazh në Durrës
DURRËS – Përcaktohen pesë zonat në rrethin e Durrësit ku nuk mund të bësh pushime në bregdet për shkak të ndotjes. Burimet zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik kanë përcaktuar pikat më të nxehta në vijën bregdetare, ku ndotja është në nivelet më të larta. Sipas tyre, zonat më të papastra janë që nga Kepi i Rodonit deri te derdhja e Përroit të Agait, dhe pikërisht në grykëderdhjet e lumenjve, të përrenjve e të kanaleve, të cilat përveçse kanë akumuluar mbeturina të ngurta, janë edhe kontaminues të ujit të detit. Po ashtu janë përfshirë edhe vendet e tjera si Porto Romano Konvaleshenca e Ministrisë së Mbrojtjes, vende të frekuentuara rregullisht nga pushuesit gjatë verës.
Analiza
Institucioni i Shëndetit në Durrës, përmes analizave të kryera në një vijë bregdetare prej 42 kilometrash, ka konstatuar se pesë janë zonat më problematike, ajo tek Konvaleshenca e Ministrisë së Mbrojtjes, një në Porto Roma dhe tri të tjera në segmentin që shtrihet mes Bisht Pallës dhe Kepit të Rodonit. Në prag të shtimit të fluksit të turistëve, specialistët e mjedisit bëjnë thirrje që pushuesit në të tilla kushte të dinë të zgjedhin vendet ku do të pushojnë. Në një kohë që publikimi i rezultateve, njohja me to e institucioneve përkatëse shtetërore, synon marrjen e masave emergjente për minimizimin e ndotjeve gjatë këtij sezoni turistik.
Deklaratat
Pak ditë më parë, vetë zëvendësministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, deklaroi se gjendja mjedisore është në parametrat normal. Ndërkohë që institucionet e tjera të shëndetit publik në Durrës pohojnë një fakt të kundërt. Kur ka nisur zyrtarisht sezoni turistik, sërish problem mbetet nëse plazhet e frekuentuara të Durrësit nga pushues që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe Kosova e Maqedonia, do të jenë të pastra, apo do të ndodhë si në vitet e kaluara. Tri ditë më parë kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, bëri të ditur se e gjithë zona bregdetare në Durrës do të ketë furnizim me energji pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit.
ZONAT E NDOTURA
Zona e Konvaleshencës
Zona e Porto Romanos
Grykëderdhja e përroit të Agait
Grykëderdhja e lumit Erzen
Një pjesë e zonës së Rrushkullit
29 Maj 2008