NATO-ja “hap dyert”. Maqedonia: “Nuk i lëshojmë pe Greqisë”
Nëse Maqedonia do të përfundojë bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit deri në 9 korrik, ajo mund “të ngjitet në anijen e NATO-s” bashkërisht me Shqipërinë dhe Kroacinë”. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer.
Ai paralajmëroi se në këtë datë do të nënshkruhet edhe Protokolli për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë. Shefer nënvizoi se bisedimet për anëtarësim me këto dy shtete që morën ftesën janë duke ecur në rrugën e duhur. “Qëllimi ynë është që Protokollet për anëtarësim në NATO të nënshkruhen më 9 korrik. Sinqerisht shpresoj që edhe Maqedonia deri atëherë do të mund të ngjitet në këtë anije, por nëse bisedimet me Greqinë do të përfundojnë”, - deklaroi Shefer në Berlin. Edhe pse Maqedonisë po i ofrohet një mundësi për bashkimin me aleancën, deklaratat nga ky vend nuk premtojnë ende zgjidhje. Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, ka shprehur bindjen se vendi i tij dëshiron t’i bashkëngjitet NATO-s dhe BE-së, por për këtë nuk ka ndërmend t’u lëshojë pe kërkesave të Greqisë dhe të ndryshojë emrin si kusht për anëtarësim. “Ne duam që vendi të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-së, por nuk kemi dilema dhe as alternativa”,-tha Gruevski për agjencinë e lajmeve Reuters. “Nuk mund ta bëjmë këtë me çmimin e humbjes së identitetit tonë, të gjuhës dhe kombit tonë, nuk mund të veprojmë kundër dëshirës së 2 milionë njerëzve”,-u shpreh kryeministri maqedonas.
29 Maj 2008