Vendimi, Instituti i Sigurimeve në varësi të Financave
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka bërë tre ndryshime në vendimin “Për sistemimin, Ruajtjen dhe Shfrytëzimin e Dokumentacionit të Periudhës së Sigurimit, pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore”. Në mbështetje të këtij vendimi, vazhdoi puna për tërheqjen e dokumentacionit të vjetërsisë në punë si nga ndërmarrjet që ishin mbyllur, ose shkonin drejt mbylljes, ashtu edhe nga arkivat vendore në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Duke qenë se u konstatuan probleme me mungesën e ambienteve, ku do të vendoseshin periudhat e sigurimit, Këshilli i Ministrave ka kërkuar që të krijohet arkiva qendrore e ISSH-së në të cilën do të arkivohen dokumentet e periudhave të sigurimit. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave, ka vendosur që afati i marrjes në dorëzim nga ISSH-ja, i të gjithë dokumenteve të shtyhet deri në datën 30 prill 2009 nga 30 qershor 2005 që ishte. Ndërkohë që derisa të krijohet kjo arkivë në ISSH, Këshilli i Ministrave ka vendosur që të përdoren si ambiente për ruajtjen e periudhave të sigurimit dy ndërtesat e agjencisë Lundër, të cilat duan ende kohë për të qenë të përshtatshme. Po ashtu, Këshilli i Ministrave ka vendosur ISSH-së të mos jetë më në varësinë e Ministrisë së Punës, por të kalojë në varësinë e Ministrisë së Financave.
29 Maj 2008