Sezoni, Policia e Shtetit merr masa gjatë verës
TIRANË - Me rastin e fillimit të sezonit turistik, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, inspektuan të mërkurën dy zona turistike, Velipojën dhe Shëngjinin, lidhur me masat e marra nga policia për ruajtjen e garantimin e rendit e sigurisë publike gjatë sezonit turistik, qershor-shtator, në këto dy zona, bëri të ditur zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se Shtetit. Strazimiri gjatë dy takimeve me punonjësit e policisë, e vuri theksin në masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe të fenomenit të zjarrvënies.
"Gjatë sezonit turistik në Velipojë dhe Shëngjin do të kemi një numër të madh turistësh, theksoi ai, prandaj është e domosdoshme që të jemi në gatishmëri në çdo kohë dhe moment. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, garantoi mbështetje maksimale të punonjësve të policisë për ruajtjen e rendit e sigurisë publike gjatë sezonit turistik.
Mungesa e lejes mjedisore, penalizohen 94 subjekte
FIER - Rreth 94 subjekte private që ushtrojnë aktivitetin në qarkun e Fierit, pjesa më e madhe e të cilave linja prodhimi me shkallë të lartë ndotjeje, rezultojnë të papajisura me lejen mjedisore. Shefja e zyrës rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit, Angjelina Mërtiri, tha se "shumica e këtyre subjekteve rezultojnë të paregjistruara edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si dhe nuk paguajnë detyrimet tatimore pranë bashkisë dhe Drejtorisë së Tatim-Taksave". Sipas saj, zyra rajonale e mjedisit ka kërkuar bashkëpunim institucional të drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore dhe Drejtorisë së Tatim -Taksave, për detyrimin e subjekteve që të pajisen me të gjithë dokumentacionin e duhur, përfshi dhe lejen mjedisore, ndryshe do të kërkohet bllokimi i tyre. Për marrjen e tyre subjekteve private iu është lënë një afat kohor, në rast të kundërt do t’ju bllokohen lejet për ushtrimin e aktivitetit.
29 Maj 2008