E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi-Dimitrenko, dueli më 28 nëntor

Dueli, i cili do të zhvillohet më 28 nëntor, është organizuar nga “Hamburger Universum Boxstall” dhe menaxhuar nga promotori i dy boksiereve, Klaus Peter Kohl. Sfida është e vlefshme për titullin ndërkombëtar në versionin WBO, pjesë e së cilës është kompania organizatore.
 
Krasniqi dhe Dimitrenko kryqëzuan dorezat pikërisht një vit më parë, me ukrainasin që fitoi përballë shqiptarit, vetëm pas tri raundesh. Ky ishte dhe dueli i fundit i Krasniqit dhe në media jo rrallë herë u komentua si dueli i “turpit” për boksierin shqiptar.
 
“Në duelin e parë e hodha në tapet Luanin. Do të provoj ta bëj sërish një gjë të tillë”, deklaroi 27 vjeçari Dimitrenko, i cili ka dalë 29 herë fitues nga ringu, në 30 takimet që ka zhvilluar deri tani.
 
Nga ana tjetër, 38 vjeçari Krasniqi, që në karrierë ka regjistruar 30 fitore në 35 duele si profesionist tha: “Ajo që mund të them rreth sfidës është se këtë herë tifozët do të shohin më shumë raunde”.
 
Ai preferoi të përqëndrohet te përgatitja për këtë duel. “Luani” shqiptar po stërvitet me ish kampionin e botës në peshën “kruizer”, mikun e tij Firat Arslan dhe për këtë është shprehur mjaft i kënaqur: “Kemi bërë një punë të shkëlqyer. Është kënaqësi të stërvitesh përkrah një kampioni si Arslan, ku çdo ditë është një sfidë më vete”.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›