E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: “Më 17 mars e dua Brewsterin në ring”

Luan Krasniqi dëshiron që rikthimin e tij në ring pas një pauze tetëmujore më 17 mars në "Hanns-Martin-Schleyer-Halle" të Shtutgartit, ta shënojë me një fitore përballe amerikanit Lamon Brewster. Boksieri shqiptar 35-vjecar akoma nuk e ka harruar humbjen që kishte pësuar nga amerikani më 28 shtator të vitit 2005 në Hamburg me nokaut teknik në rundin e nëntë të përballjes për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë për versionin WBO. Pasi ka kaluar disa javë në ishullin spanjoll të Majorkës, Krasniqi është rikthyer në Gjermani për të vazhduar me përgatitjet.
"Mezi po e pres mbrëmjen e Shtutgartit. Më në fund do të rikthehem në ring. Ka qenë faza më e gjatë përgatitore që kam zhvilluar ndonjëherë në karrierën time. Tani ndihem në formë shumë të mirë", i ka thënë Krasniqi stacionit televiziv gjerman "ZDF", i cili është tejet i bindur te vetja se do të fitojë titullin e kampionit të botës, por para kësaj dëshiron që t'i rikthejë borxhin boksierit të vetëm që e kishte rrahur mes litarëve të ringut profesionist (humbja tjetër e Krasniqit nga polaku Saleta kishte ardhur si pasojë e dorëzimit të luftës, në një mec ku Krasniqi kryesonte me pikë).
"Do të doja shumë që në këtë mec të kisha përballë Brewsterin, pasi nuk e di nëse ai do të boksojë akoma kur unë të bëhem kampion bote", ka shtuar Krasniqi.
Ndërkohë emri i kundërshtarit nuk është bërë i ditur akoma. Ish-kampioni i Evropës me një fitore në mecin e 17 marsit do të fitonte edhe një herë shansin për të luftuar për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë për versionin WBO, titull që aktualisht mbahet nga amerikani Shanon Briggs. Aktualisht junikasi renditet i gjashti në WBO, njëra nga katër federatat më të rëndësishme në boksin profesionist.
Gjatë karrierës së tij 10-vjecare në ringun profesionist Krasniqi ka zhvilluar 32 mece, prej të cilëve i ka fituar 29, dy përballje i ka humbur dhe një herë ka barazuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›