Krasniqi: Pozita e shqiptarëve nuk është më ajo e dikurshmja

Jakup Krasniqi / Foto arkiv
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se autoritetet e Beogradit dhe ato të Shkupit po kryejnë aksione terroriste. Kryeparlamentari kërkon që kësaj situate ti përgjigjen të gjithë shqiptarët. Në një intervistë për gazetën Express, Krasniqi shfaqet kritik edhe ndaj Bashkimit Europian, duke thënë se nuk duhet lejuar destabilizimi i Ballkanit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga të gjithë shqiptarët e Ballkanit që t`u japin një përgjigje të përbashkët politike arrestimeve të fundit shqiptarëve në Serbi dhe Maqedoni.
Kryeparlamentari Krasniqi u ka bërë thirrje dy shteteve fqinje që të kenë kujdes me shqiptarët, pasi pozita e tyre nuk është më sikur kishte qenë në shekujt e mëparshëm.
Në intervistë, Krasniqi shprehet se disa popuj nuk po pajtohen dot me pozitën e avancuar të shqiptarëve dhe po e mbajnë rajonin të trazuar.
Sigurisht se janë konfliktet e vjetra, janë ideologjitë nacionaliste dhe dominuese që ende janë në skenat politike në Ballkan. Këto ideologji dhe filozofitë mitomaniste të dominimit nuk po mund të pajtohen me realitetin e ri që është krijuar në Ballkan dhe s`po mund ta pranojnë një pozicion të avancuar që e ka kombi shqiptar në Ballkan, ka thënë Krasniqi, të shtunën.
Një ditë më parë, policia serbe arrestoi tetë shqiptarë në Bujanoc, nën akuzën për krime lufte, që dyshohet se janë kryer në vitin 2001.
Këto arrestime kanë ndodhur pak ditë pasi Maqedonia arrestoi më shumë se 20 shqiptarë, në mesin e tyre edhe të moshuar, me akuzën për terrorizëm.
Edhe pse thotë se dy situatat kanë dallimet e veta, Jakup Krasniqi këmbëngul se këto aksione kanë për qëllim frikësimin e shqiptarëve.
Por për të tejkaluar këtë situatë, ai ka thënë se duhet t`u jepet një përgjigje kombëtare dhe ndërkombëtare vendeve fqinje, duke theksuar se asnjë shtet nuk guxon të sulmojë individët që i përkasin një nacionaliteti të caktuar.
Konsideroj që edhe institucionet e Shqipërisë, edhe të Kosovës, por edhe të BE-së duhet të bëjnë diçka që ta sigurojnë dhe ta garantojnë jetën e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Ballkanit. Këto zhvillime duhet t`i japin një mësim faktorit shqiptar, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, por edhe në Maqedoni, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, udhëheqësi i Kuvendit thotë se mosreagimi i Brukselit ndaj arrestimeve të shqiptarëve, duhet të mobilizojë institucionet e Kosovës që të shikojnë situatën ndryshe në Luginën e Preshevës.
Mendoj se ka ardhur momenti që institucionet e Kosovës dhe faktori politik në Kosovë duhet të shtrojnë një debat më serioz për këtë çështje. Mua po më duket se reagimet që s`po vijnë nga Brukseli, i obligojnë institucionet e Kosovës dhe politikën e Prishtinës që këtë çështje ta shqyrtojnë dhe ta shikojnë në një kënd të ri të vështrimit, ka sugjeruar Krasniqi.
Të shtunën ka ardhur reagimi edhe i kryeministrit të Shqipërisë për arrestimet në Luginë, duke i quajtur ato akt terrori politik.
Vërtet është më shumë se akt terrorist, është një vazhdim i një politike të gjenocidit dhe të krimit të organizuar të pushtetit, është një terrorizëm shtetëror që bëhet në një kohë kur edhe Serbisë, edhe Kosovës i duhet paqja, siguria dhe stabiliteti, ka thënë Krasniqi.
Sipas kryetarit të Kuvendit, Serbia dhe Maqedonia po bëjnë gjueti shtrigash ndaj shqiptarëve për t`i frikësuar dhe për t`i larguar prej trojeve të veta.
Ai pajtohet me vlerësimet e ish-senatorit amerikan, Joseph Diogardi, se janë përgatitur skenarë kundër shqiptarëve.
Mendoj se është një sulm mbi shqiptarët. Konsideroj se edhe arrestimet që u bënë në Maqedoni, edhe pse ata ndoshta kanë një vështirësi dhe një problem tjetër, por ai sulm dhe ato arrestime në atë mënyrë tepër spektakolare, nuk i kontribuojnë paqes as në atë pjesë të rajonit tonë. Kështu, që edhe politika maqedonase, edhe politika serbe, duhet të jenë më të kujdesshme, duhet ta kenë parasysh se shqiptarët tanimë nuk janë më as në shekullin XIX, as në shekullin XVIII, duhet të jetojnë në paqe dhe harmoni dhe duhet të punojmë se bashku për të vendosur rend dhe siguri për të gjithë njerëzit në këtë rajon të trazuar, ka theksuar ai. / Gazeta Express