E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Vendosja e rendit në veri, e drejtë

PRISHTINË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se vendosja e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 është rezultat i vendosmërisë së Qeverisë për zbatimin e planit të saj, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, dhe me përkrahjen e gjerë ndërkombëtare, për vendosjen e pushtetit dhe ligjit në veri të Kosovës. Lajmi bëhet i ditur nga Kosovapress.

“Përshëndes këtë veprim legjitim të Qeverisë dhe falënderoj misionin e EULEX-it dhe KFOR-in për mbështetjen që po i bëjnë të drejtës së Kosovës e të institucioneve të saj dhe për kontributin e tyre në shërbim të paqes, të sigurisë e të rendit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Krasniqi ka vlerësuar se vendosja e ligjshmërisë, rendit dhe pushtetit në veri të Kosovës është e drejtë e patjetërsueshme dhe obligim kushtetues i institucioneve të Kosovës.
“Vendosja e pushtetit në veri nuk është veprim kundër interesave të mirëfillta të shtetit serb dhe aq më pak kundër qytetarëve të Kosovës në veri. Shpreh bindjen që raportet midis Kosovës dhe Serbisë, herët a vonë do të karakterizohen me ulje tensionesh, me bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë, sepse ky është interesi i popujve të të dy vendeve dhe ky do të jetë caku i rrugëtimit tonë të përbashkët drejt procese integruese në BE”, përfundon deklarata.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›