E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Bushati: Të ndryshohet rregullorja e Kuvendit

TIRANË- Deputeti socialist Ditmir Bushati deklaroi se Partia Socialiste do të formalizojë ditën e hënë kërkesën e saj drejtuar mazhorancës për reformën parlamentare.

Duke evidentuar një sërë problemesh që sipas tij kanë të bëjnë me funksionimin e parlamentit dhe komisionet parlamentare Bushati sqaroi se propozimi i socialistëve do të ndahet në dy faza.

“Faza e parë që prezantohet të hënën ka të bëjë me ndryshimin e rregullores së Kuvendit, sjelljen e një konsensusi minimal, kthimin e saj aty ku ka qenë në vitin 2009 për të evituar të gjitha ndryshimet e njëanshme që kanë asfiksuar rolin e opozitës në Kuvend dhe largojnë jetën parlamentare nga standardet e BE”- nënvizoi Bushati.

Deputeti socialist theksoi se me propozimin për ndryshimet e njëanshme mes propozimit të PS-së, opozita synon që në Kuvend të kthehet vota e fshehtë, të garantohen të drejtat e opozitës, delegimi i të drejtave në instanca të tjera dhe transparencë e buxhetimit.

Bushati përcakton si fazë të dytë adresimin e mangësive të evidentuara nga raporti OSBE/ODIHR, në mënyrë që në një afat të mëvonshëm të përmbushen detyrimet që burojnë nga prioritetet e identifikuara nga KE.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›