Krasniqi dhe Thaçi urojnë trevjetorin e pavarësisë
Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u kanë uruar qytetarëve 17 Shkurtin, ditën e pavarësisë.
“Kjo datë historike i shtohet evendimenteve të mëdha të Kosovës, si dita e kurorëzimit të përpjekjeve të pareshtura të brezave të tërë, që sakrifikuan aq shumë për atdheun e tyre të lirë, të pavarur e demokratik”, tha Krasniqi, kjo në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës.
“Shteti i pavarur i Kosovës nesër mbush vetëm tri vjet, por populli i tij ka rrënjë antike në truallin e vet. Gjatë këtyre tri viteve të pavarësisë, Kosova ndërtoi sistemin demokratik, institucionet e shtetësisë, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror, thelloi reformat e gjithanshme dhe sanksionoi me kushtetutë barazinë e qytetarëve të saj, si pjesëtarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike”.
Edhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi uroi gjithë qytetarët e Kosovës më rastin e tre vjetorit të pavarësisë. Ai tha se pavarësia është meritë e gjithë popullit të Kosovës. Ai kujtoi gjithë ata që flijuan jetën për të realizuar idealin e shtetit të Kosovës ndërkaq falënderoi edhe gjitha shtetet që ndihmuan krijimin e shtetit të Kosovës.