E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krasniqi, drejt titullit Kampion Bote

29/05/2005  Luan Krasniqi ka hapur autostradën drejt titullit botëror pasi ka mundur në arenën e “Hans Martin Shlejer” amerikanin Lens Uitaker. I kanë mjaftuar vetëm 6 raunde shqiptarit nga Kosova që garon për Gjermaninë për të thyer amerikanin dhe për të çuar në delir arenën e Shtutgartit, e cila nuk e ka tradhëtuar as në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë. Ashtu siç e kishte parashikuar, Krasniqi është treguar i qetë që në raundin e parë, duke e nxjerrë jashtë loje në çdo dyluftim amerikanin Uitaker. Ka qenë një e djathtë e frikshme e Krasniqit, 28 sekonda pas fillimit të raundit të gjashtë, që ka shembur përdhe “malin” Uitaker. Duhet theksuar se në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë, Krasniqi ka thyer çdo parashikim dhe tashmë me të vërtetë mund të tentojë të bëhet i dyti gjerman që do të tentojë të çojë në vendin evropian titullin e kampionit të Botës pas të madhit, Maks Shmeling. Një fitore e madhe e Luan Krasniqit, që ka gëzuar jo vetëm gjermanët për të cilët ai garon, por edhe tifozët e shumtë shqiptarë që nuk kanë munguar në festën e madhe. Dhe fjalë e bukura dhe prekëse të Krasniqit “JU DUA”, kanë qenë pikërisht për shqiptarët që nuk mund të mungonin në një mbrëmje magjike si ajo e Shtutgartit. Kanë qenë 6 raunde të gjitha nën diktatin e tij, por është dashur vetëm raundi i gjashtë, që Krasniqi të vërë vulën e fitores dhe tashmë të shohë më nga afër edhe kurorën e kampionit të Botës. Në pesë raundet e para, Krasniqi është treguar shumë i qetë dhe ka dhënë shumë goditje në të gjitha pjesët e trupit të amerikanit, i cili nga ana e tij ka qenë shumë pasiv dhe në 6 raunde ka goditur vetëm njëherë në shenjë. Ndërkohë, pas pesë raundesh dominim, ka ardhurr edhe ai i gjashti, ku Krasniqi ka dhënë goditjen përfundimtare duke mbajtur edhe premtimin e dhënë se ëndrrën për të sjellë një titull botëror në Gjermani do ta bëjë realitet. Dhe në të njëjtën kohë të bëjë që në arenën e Shtutgartit, flamujt shqiptarë të skuqin arenën. Një triumf i merituar i Krasniqit, i cili tashmë duhet të mendojë për kurorën e titullit botëror në versionin WBO, ku e pret Lemon Brojster. Gjithsesi tani është koha për të festuar. Bravo Krasniqi!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›