E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqin s’e shqetëson largimi i Zafirit

Largimi i Zafir Berishës nga radhët e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e ka shqetësuar fare kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, i cili njëkohësisht mban edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së. Ai ka thënë se as në PDK, as në Kuvend nuk ka kurrfarë lëvizjesh të nxehta, siç mund të cilësohen nga dikush.

Dorëheqjen e Berishës nga PDK-ja, Krasniqi e konsideron si një veprim demokratik dhe si e drejtë e secilit individë, ndërkohë që nuk beson se zgjedhjet brendapartiake në PDK do të përcillen me ndonjë përplasje.

“Konsideroj se kurrfarë lëvizje të nxehta nuk ka. Secili individ është i pavarur për ta shfaqur mendimin e vetë, qoftë nevoja edhe për t’u dorëhequr. Kjo është demokratike”, ka thënë Krasniqi pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka paralajmëruar deputetët që mungojnë në seanca se nuk do t’i marrin mëditjet për ato seanca, në të cilat mungojnë.

Për këtë Krasniqi, ka thënë se para pak ditësh edhe e ka nënshkruar vendimin.

“Të gjithë ata që nuk marrin pjesë kur duhet të votohet, duhet t’u hiqet mëditja e mungesës së asaj dite. Unë para pak ditësh e kam nënshkruar që deputetët që mungojnë mos ta marrin pjesën shtesë që e kanë për seancë”, ka thënë ai.

Në këtë mënyrë, kreu i legjislativit pretendon të vërë rregull në seancat e Kuvendit, të cilat shpesh ndërpritet për shkak të mungesës së kuorumit.

Derisa seanca vazhdon brenda në sallë, shpesh ndodhë që shumë deputetë sillen nëpër hollin e Kuvendit, duke shkaktuar në këtë mënyrë mungesë të kuorumit në sallë.

Kryeparlamentari Krasniqi ka njoftuar për takimet e frytshme që ka zhvilluar me krerët e shtetit shqiptar gjatë vizitës disaditëshe në Tiranë, ndërkaq ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancën plenare për datën 29 prill, në të cilën do të shqyrtohen kryesisht disa raporte të agjencive të pavarur si dhe pritet të miratohet rregullorja e punës së Kuvendit, për të cilën Krasniqi ka thënë se është vonuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›