E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, Topalli e Berisha homazhe në ambasadën polake

13/04/2010 Vdekja e presidentit Kazinski

Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli bënë homazhe në ambasadën polake në nderim të Presidentit të Polonisë Leh Kazinski. Kreu i shtetit, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Aleksandër Flloko dhe drejtori i kabinetit Dashamir Xhaxhiu, i shprehu pikëllimin dhe ngushëllimet ambasadores polake Irena Tatarzinska për humbjen e parakohshme në një aksident tragjik ajror të Presidentit Kazinski, bashkëshortes së tij, anëtarëve të kabinetit dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit zyrtar, që u shuan në Smolensk. “Humbja tragjike e Presidentit Kazinski, e bashkëshortes dhe e personaliteteve të larta që e shoqëronin përbën një shok të jashtëzakonshëm për të gjithë. Jam i bindur se populli polak, institucionet e Polonisë do të dinë të dalin nga kjo situatë që vjen pas tragjedisë dhe ditë më të qeta do të vijnë më pas, sepse janë gjëra që nuk varen nga ne”, - theksoi presidenti Topi gjatë një prononcimi për mediet. Ndërsa kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se me vdekjen e parakohshme të Kazinskit bota humbi një prej liderëve më të shquar të saj, i cili gjatë gjithë karrierës së tij politike kontribuoi dhe luftoi në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›