E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë përgëzimet për Thaçin

Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vazhdojnë t’i vijnë letra nga liderë botërorë, në të cilat shprehet falënderimi për letrën dhe pikturën e dërguar.

Me rastin e konkursit kombëtar të nxënësve të Kosovës “Festo me mua” (Celebrate With Me), në dyvjetorin e Pavarësisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, liderëve botërorë u ka dërguar nga një punim pikture të nxënësve kosovarë, të shoqëruar me një letër. Vizatimet dhe pikturat paraqesin motive për dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Kryeministrit Thaçi letër falënderuese i ka dërguar kryeministri slloven dr. Danilo Turk, i cili ndër të tjera thekson bindjen e tij se artistët e rinj të Kosovës paraqesin vlera që simbolizojnë paqen, prosperitetin dhe stabilitetin, si kushte të rëndësishme për zhvillimin e një shteti të ri, siç është Kosova”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, kryeministri i Norvegjisë, Jenz Stoltenberg, në letrën e tij falënderon kryeministrin Thaçi për dërgimin e pikturës së artistit të ri të Kosovës, duke nënvizuar faktin që përmes saj populli i Kosovës shpreh qartë vullnetin për një të ardhme paqësore.

Kryetari i Kroacisë, Stjepan Mesiq në letrën e tij (15 mars 2010) shpreh falënderimin për pikturën e dërguar dhe shpreh bindjen se Kosova është vend i rëndësishëm i stabilitetit dhe sigurisë në rajon, që ndërton demokracinë, respekton diversitetin kulturor dhe të drejtat e njeriut, si vlera themeltare të shoqërisë demokratike dhe të botës moderne.

Po ashtu, Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, falënderon kryeministrin Thaçi përmes një letre, ku thekson se vizatimi i nxënësit kosovar parqet mesazhin e qartë të aspiratave të popullit të Kosovës për paqe dhe ardhmëri prosperuese.

Kryeministri Thaçi ka marrë një letër nga Presidenti i Republikës së Irlandës, McAleese në të cilën shprehet falënderimi për vizatimin e dërguar dhe urimet për shtetin e ri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›