E Shtunë, 31 Tetor 2026

IQT: 7 subjekte të mbushjes së gazit për ndjekje penale

17/04/2009  Lëshohen 184 akte bllokimi

Gjatë vitit 2008 Inspektorati Qendror Teknik ka çuar 7 subjekte të mbushjes së gazit që ushtrojnë aktivitet në Tiranë për ndjekje penale, si dhe ka bllokuar 16 autogaze. Ndërkaq, tremujori i parë i 2009-s ka rezultuar me 16 akte bllokimi në Tiranë dhe rreth 168 në qytetet e tjera në pikat e paligjshme dhe të rrezikshme. Gjithashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara vitin e kaluar rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në të gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkia. “Gjatë tre muajve të vitit 2009 kemi lëshuar 16 akte bllokimi në Tiranë dhe rreth 168 të tjera në qytetet e tjera të vendit në pikat e paligjshme dhe të rrezikshme të tregtimit të gazit të lëngshëm dhe autogazeve”, - tha kreu i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti. Në rast se këto pika nuk mbyllen, ky institucion do ti drejtohet Prokurorisë për ndjekje penale. "Aktet e bllokimit i disponojnë tashmë prefektët e qarqeve, të cilët në bashkëpunim me IQT, Inspektoratin e Ndërtimit, Agjencinë e Mjedisit dhe Policinë e Mbrojtjes ndaj Zjarrit po drejtojnë grupet e kontrollit për mbylljen e tyre”, - tha Kurti. Kontrollet në njësitë e mbushjes së gazit po vijojnë jo vetëm për zbatimit të rregullave teknike, por edhe pajisjen me autorizim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›