E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Fullanit: Qytetarët ti kthehen bankave

17/04/2009  Raporti në Kuvend

Ndikimi që kriza do të ketë në vendin tonë, do të jetë më i vogël. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë prezantimit të raportit 2008 në Parlament, theksoi se bankat vetë duhet të luftojnë mungesën e besimit të klientëve, ndërsa qytetarët duhet ti drejtohen sistemit bankar. “Një apel do tju drejtoja individëve, qytetarëve të thjeshtë. Mënyra se si ju silleni çdo ditë përcakton edhe dinamikën e efekteve të krizës. Individët duhet tju kthehen bankave. Nëse sjellja juaj do të jetë racionale, atëherë dhe ndikimi i krizës do të jetë periferik”, - tha Fullani. Format e panikut, mungesës së besimit, largimit të depozitave nga bankat shtojnë mundësinë për tu prekur nga kriza financiare. “Mundësia për tu shndërruar në një krizë të ekonomisë reale rritet. Sistemi bankar është një segment i rregulluar dhe i mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë. Besoj se sot është koha që të reagojmë me logjikë dhe me sens të theksuar patriotizmi. Ne do të këmbëngulim që kreditimi i ekonomisë të ringjallet duke sjellë në vëmendjen e sistemit degët e veçanta të prodhimit që justifikojnë mbështetjen financiare të sistemit”, - tha Fullani. Sistemi bankar duhet të rifitojë besimit e publikut, ndërsa komuniteti i biznesit duhet të hapet më shumë ndaj sistemit bankar.

Likuiditeti

Shumë pak banka janë ndikuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008, nga situata në tregjet financiare. Kjo situatë, sipas tyre, ka ndikuar pak mundësitë e tyre të financimit të kredive. “Nga shpërndarja e përgjigjeve, vetëm një bankë është shprehur se është prekur shumë, 4 banka janë prekur disi, 1 bankë është prekur pak dhe 2 banka nuk janë prekur. Megjithatë, situata jashtë ka ndikuar disi në uljen të gatishmërisë për të dhënë kredi dhe në uljen e pritjeve për gjashtëmujorin e parë të 2009-s”, - thekson vrojtimi. Bazuar në ndarjen sektoriale, nga vrojtimi i kryer rezulton se sektori i tregtisë do të preket më shumë dhe më pas industria. Ndërsa sektori i ndërtimit, sipas gjykimit të shprehur nga vetë operatorët e sistemit bankar, do të preket më pak.

Para për ekonominë

Këtë vit në treg do të ketë mungesë likuiditeti. Ky problem sipas Bankës së Shqipërisë duhet të zgjidhet në tregun e huaj. “Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit. Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Banka e Shqipërisë gjykon se Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet”, - deklaroi dje në Kuvend, Guvernatori Ardian Fullani.

Mirëkuptim politik

“Përfitoj nga ky rast, ti drejtohem klasës politike me një thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj sfidave me të cilat përballet vendi. Arritja e një mirëkuptimi politik në trajtimin e tyre do të reduktonte në kohë dhe në intensitet efektet negative në ekonomi. Këtë detyrim e kemi jo vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj brezave të ardhshëm, të cilët meritojnë një ambient më të përshtatshëm biznesi, stabilitet makroekonomik, sistem financiar të shëndoshë dhe perspektivë të qartë konvergjence me Eurozonën”, - tha Fullani. Sipas Guvernatorit, kriza globale, tashmë ka dhënë mësimet e para. “Ajo na mëson që na nevojitet më shumë disiplinë, më shumë komunikim, më shumë koordinim, më shumë transparencë dhe më shumë kulturë”, - nënvizoi Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›