Kredi pa interes, "zbardhen" përfituesit
Plot 3157 familjarë, të cilët konsiderohen si të pastrehë, pasi jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve mund të fillojnë procedurat pranë Entit Kombëtar të Banesave, për të marrë një kredi afatgjatë me interes zero. Është nënshkruar marrëveshja mes një banke private dhe Ministrisë së Financave, për një kredi me kohëzgjatje 30-vjeçare. Nga kjo kredi, këta të pastrehë do të përfitojnë shumën e plotë në përputhje me vlerën e shtëpisë që do të blejnë në treg, por që përveç kësteve mbi paratë e marra nuk do të detyrohen të paguajnë interes bankar. Subvencionimi do të realizohet nga buxheti i shtetit përmes Entit Kombëtar të Banesave. Një lajm të tillë e konfirmon Ilirian Proko, drejtor i përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Tashmë, ky institucion ka gati edhe listat emërore për të gjithë përfituesit, sipas bashkive ku ata ndodhen. Të gjithë të interesuarit që e gjejnë veten në këto lista, të cilat do të afishohen në vende të dukshme, në të gjitha sportelet e entit në Tiranë dhe në rrethe, duhet të paraqiten pranë këtyre zyrave për të plotësuar një formular. Aty duhet të shënohen përveç gjeneraliteteve kryesore edhe sasia e të ardhurave që disponojnë këto familje, si dhe aftësia paguese e tyre për marrjen e kësaj kredie. Më pas, përfaqësuesit e Entit i dorëzojnë formularët pranë bankës së kontraktuar nga shteti për marrjen e kredisë 30-vjeçare. Për të gjithë ata individë që do të pretendojnë se nuk e kanë emrin në këto lista, por u takon të përfitojnë nga kjo kredi mund të paraqiten pranë zyrave të Entit me dokumentacionin përkatës për të bërë një ankimim dhe për të verifikuar kërkesën e tyre. Drejtori Proko sqaron më tej se Enti ka tashmë gati edhe përllogaritjet e masës së kredisë për qytetarët në ish-pronë private. Ai shton se kjo kategori të pastrehësh në kryeqytet që do të përfitojnë nga kredia arrin në total në 800 familje, më pas vjen Durrësi me 550 të tilla dhe bashki të tjera si Shkodra me 650 familje, Kavaja, Vlora, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Pogradeci etj. Në total do të jenë 28 bashki të përfshira në këtë proces. Drejtori i Entit shpjegon se sipërfaqet e banimit janë të ndara në disa kategori: në garsoniera, në apartamente 1+1,2+1 dhe 3+1. Kjo ndarje është bërë në përputhje me normat e strehimit sipas ligjit në fuqi. Aktualisht, norma përfshin 12 metër katror për frymë. Garsonierat janë për ato familje me 1-2 persona, për 2-3 persona përfituesit marrin një apartament 1+1. Për familjet me katër persona apartamenti që mund të blihet me këtë kredi është 2+1 dhe me mbi katër persona për familje mund të përfitohet një banesë 3+1. Këto janë kriteret vlerësuese të marra parasysh nga specialistët e Entit Kombëtar të Banesave në përllogaritjet e kryera për këtë çështje. "Për të gjithë këtë listë që ne kemi bërë, kemi evidentuar dhe çmimin për metër katror të përfituesve të kredisë", konfirmon drejtori i Entit, Proko.