E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajisje të reja për poliklinikat

Laboratorët dhe kontrollet në qendrat shëndetësore do të jenë të unifikuara në të gjithë vendin. Falë një projekti mes Ministrisë së Shëndetësisë, Bankës Botërore dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, qendrat shëndetësore janë në fazë pajisjesh me një listë aparaturash të nevojshme dhe të rëndësishme.

Qendrat Shëndetësore të Tiranës kanë tashmë një set të ri prej 28 pajisjesh bazë dhe së shpejti do të përmbyllet procesi i furnizimit me këto aparatura në të gjithë vendin.

Këto pajisje do të ndihmojnë mjekët e familjes, si edhe specialistët në Tiranë, që të ofrojnë në mënyrë sa më cilësore të gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve në Parësor. "Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të cilin është punuar që prej vitit 2006 nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Falë financimit të Bankës Botërore po arrihet që në të njëjtën kohë, në të gjithë vendin të jepet një paketë bazë pajisjesh të domosdoshme, të cilat nuk do të mungojnë në asnjë qendër shëndetësore, që do të sjellin një standardizim të shërbimit për të gjithë popullatën", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë vizitës së zhvilluar në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në kryeqytet, ku pa nga afër pajisjet e reja. Qendrat janë pajisur me sterilizator, me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjienës. Vaksinat si pjesë e punës së përditshme do të mbahen në frigoriferë të rinj portabël, me qëllim ruajtjen sa më mirë të tyre në çdo moment dhe ofrimin e shërbimit edhe në ato shtëpi që janë larg qendrave shëndetësore. Një nga pikat më të rëndësishme të projektit ka të bëjë me pajisjen e Qendrave Shëndetësore me aparaturën për të sëmurët me zemër, si dhe pajisjen e laboratorëve. Kështu, qendrat shëndetësore të Tiranës janë pajisur me EKG me qëllim diagnostikimin e të sëmurëve kardiakë brenda qendrës. Gjithashtu, laboratorët e qendrave shëndetësore janë pajisur me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të ofruar kështu një gamë më të gjerë analizash për pacientët. Duke folur për pajisjet laboratorike, si një ndër më kryesoret, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore, Liljana Ramasaço, sqaroi se "me to do të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për pacientët. Pacienti duhet të ekzaminohet qoftë për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten". Deri tani, sipas saj, këto ekzaminime janë kryer në klinika të tjera, në qendrat e specialiteteve, pasi në qendrat shëndetësore deri tani ka ekzistuar laboratori kimik. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve laboratorike në qendrat shëndetësore, pacienti do ta mbyllë ciklin brenda qendrës shëndetësore. Pajisjet janë të standardeve që kërkohen dhe plotësojnë ekzaminime që nuk janë kryer deri tani në qendrën shëndetësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›