E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi të buta për shtimin e kapaciteteve në zonën e bregut

21/08/2009  Kryeministri Berisha mbledh ministrat e linjës për zhvillimin e turizmit

Qeveria shqiptare ka nisur përgatitjet për sezonin turistik të vitit të ardhshëm. Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur në zyrën e tij ministrat e linjës, për të koordinuar hapat që do të merren për fuqizimin akoma më të madh të turizmit shqiptar, kryesisht në bregdetin jonian, duke filluar nga Orikumi e deri në Ksamil. Kreu i qeverisë gjatë takimit ka diskutuar strategjitë dhe masat që duhen ndërmarrë për të përballuar me sukses fluksin e turistëve në Shqipëri, që po vjen gjithnjë në rritje. Kryeministri ka propozuar marrjen e masave për shtimin e kapaciteteve akomoduese të pushuesve gjatë kësaj vije bregdetare. Sipas tij, banorëve të kësaj zone duhet t’u jepen kredi të buta, për të mundësuar rritjen e shtretërve. “Ministria e Financave duhet të shqyrtojë mundësinë e një kredie të butë për të gjitha familjet që duan të shtojnë një dhomë, dy dhoma apo një kat në shtëpitë ekzistuese. Ne nuk mund të japim kredi për të bërë shtëpi të reja, por në qoftë se gjejmë një mënyrë për të rritur më shpejt kapacitetet hoteliere të fshatrave të bregut, nga Dhërmiu në Ksamil, e të gjithë gjatësinë e bregut Jon, ndoshta do të mund të shtojmë një numër shumë të madh shtretërish”, ka deklaruar Kryeministri Berisha. Sipas tij, duhet të jepen fonde dhe të procedohet sa më shpejt, në mënyrë që mbi bazën e planeve urbanistike, më pas të autorizohen ndërtimet. Një tjetër çështje që u diskutua në këtë takim ishte dhe përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës në bregun e Jugut. “Vetëkuptohet që potenciali më i madh turistik është potenciali jonian. Për disa specifika: ujërat e Jonit janë të papërsëritshme, të pakrahasueshme; rruga e ndërtuar ka ndryshuar faqen e gjithë zonës, i ka dhënë zonës një infrastrukturë kryesore, moderne. Por është e domosdoshme, që tani të lëvizim me shpejtësi që në të gjithë bregun e detit Jon, të bëhen ndërhyrjet e gjithanshme të nevojshme për të kompletuar infrastrukturën me përparësi absolute, nga Orikumi deri në Ksamil”, deklaroi shefi i ekzekutivit. Kryeministri i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, hartimin e një studimi serioz për krijimin e një rrjeti të ri rrugor, për lehtësimin e trafikut në qytet, me qëllim që trafiku i turistëve drejt bregut të mos rëndojë qarkullimin rrugor në qytet. “Ministria e Punëve Publike ka një seri projektesh, janë 7 rrugë fshatrash të prokuruar, janë ujësjellës të prokuruar, por tani detyra është kjo: do të merret fshat për fshat, çdo rrugë që zbret drejt detit, duhet të projektohet dhe të mos vonohet në ndërtim në mënyrë që qershori i ardhshëm ta gjejë të asfaltuar”, tha ai. Për Berishën këto investime duhet të kompletohen dhe çdo shtëpi duhet të ketë ujë 24 orë, pasi me çdo kusht, që deri në qershor të vitit të ardhshëm infrastruktura duhet të jetë e konsoliduar. Furnizimi i plotë me energji elektrike i këtyre zonave, ishte një tjetër çështje për të cilën Kryeministri Berisha kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë. Gjatë këtij takimi, shefi i ekzekutivit u ndal edhe në hapat e shpejtë që duhen ndërmarrë për çështjen e mbeturinave, ku cilësoi si përparësi absolute futjen në buxhet të landfilld-it të Sarandës, si dhe qendrën e grumbullimit të mbeturinave në Himarë. Gjithashtu, Berisha hodhi edhe idenë e krijimit të shesheve me infrastrukturë të kompletuar, për turistët që lëvizin me rulotë, të cilët nuk kanë qenë të pakët gjatë këtij viti.

Turistët

Duke e cilësuar si një vit surprizë rritjen me 36% të numrit të turistëve që kanë preferuar Shqipërinë për pushimet e kësaj vere, në një kohë krize universale, Kryeministri Berisha kërkoi që të merren të gjitha masat për kompletimin e plotë të infrastrukturës përgjatë gjithë bregdetit, në rrugë, ujësjellës e energjetikë, për rritjen e kapacitetit të akomodimit.

Mbeturinat

Kreu i qeverisë ka kërkuar marrjen e masave dhe rritjen e ritmit për të përballuar situatën që krijohet nga mbeturinat. Berisha cilësoi si përparësi absolute futjen në buxhet të landfilld-it të Sarandës, si dhe qendrën e grumbullimit të mbeturinave në Himarë. Kryeministri Berisha hodhi edhe idenë e krijimit të shesheve me infrastrukturë të kompletuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›