E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Nanos, Malaj takim kokë më kokë me Blushin

21/08/2009  Bisedohet për ndryshimet në statut dhe daljen me një kandidaturë

Kundërshtarët e Ramës lëvizje nëntë ditë përpara kongresit

Ben Blushi dhe Arben Malaj kanë zhvilluar dje një takim në një lokal në kryeqytet. Në një kohë tjetër takimi, do të ishte krejt normal, si takim mes dy kolegëve, por takimi vjen pikërisht vetëm 9 ditë para kongresit të Partisë Socialiste, ku si Blushi ashtu dhe Malaj pritet të jenë rivalët e Ramës për postin e kryetarit të partisë. Nga ana tjetër Arben Malaj, vetëm një ditë më parë ka zhvilluar një tjetër takim me ish kreun e PS-së Fatos Nano, ku mësohet se kanë biseduar pikërisht për zhvillimet në Partinë Socialiste. Megjithëse asnjëri prej dy kundërshtarëve të Ramës, nuk pranoi të komentonte takimin, sërish mbledhja e firmave të delegatëve për t’u imponuar me propozimet për ndryshimet e statutit të socialisteve mbetet objektiv i parë këto ditë. Blushit dhe Malajt iu duhet të koordinohen edhe për të mos përsëritur të njëjtin dështim në Asamblenë Kombëtare Socialiste, kur rezoluta e tyre mori vetëm 15 vota.

Tronditja që mori PS, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, bëri që ujërat të lëviznin brenda partisë më të madhe të opozitës. Në njërën krah janë përkrahësit e Ramës, të cilët i kërkojnë këtij të fundit të rikadindojë, megjithëse ishte vetë kreu i partisë ai që në statusin e partisë futi dhe dorëheqjen kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve. Kundërshtarët e Ramës në PS e shohin këtë të fundit si fajtorin kryesor për humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhje, një humbje që do i kushtojë dhe katër vjet të tjera opozitë. Kundërshtarët e Ramës, e fajësojnë atë për moshartimin e një programi, për përçarjen që i solli të majtës, dhe për kalkulimet e gabuara në lidhje me aleancat. Por Rama nga ana e tij, shprehet se PS-ja megjithëse s’ka marrë pushtetin, sërish ka rritje në krahasim me vitin 2005, dhe ka më shumë vota se PS-ja. Për të shpëtuar karrigen e kryetarit, u mundua ta shpërqendrojë vëmendjen tek standardi i zgjedhjeve, por edhe tek “tradhtia”, siç e quajti lëvizjen e LSI-së dhe Ilir Metës drejt pushtetit, pra koalicionin me Berishën. Nga ana tjetër, dalja me dy kandidatura kundërshtare në kongresin e partisë, nuk do bënte gjë tjetër vetëm se do i thjeshtonte akoma më shumë fitoren Ramës. Ndoshta kjo ka qenë dhe arsyeja e takimit mes Nanos dhe Malajt një ditë më parë, dhe më pas takimi me Blushin. Dalja me dy kandidatura nuk do bënte gjë tjetër vetëm se do ndante më dysh ata që mendojnë se Rama duhet të largohet nga posti i kryetarit. Ndërkohë që një çështje shumë e rëndësishme është dhe implementimi i ndryshimeve në statut, ku do i hiqte të drejtën Ramës për të rikandiduar sërish.

Zgjedhja e kryetarit

Në rast kandidimi të Ramës, duket se procesi i votimit në Kongres do të jetë thjeshtë një formalitet. Përgjatë kohës që Rama ka drejtuar partinë, është marrë dhe me strukturimin e saj. Shumica e delegatëve në kongresin e partisë janë të zgjedhur apo të vendosur prej tij, gjë që i siguron atij sigurinë për një mandat tjetër. Por duket se s’do jetë aq e thjeshtë. Që tani zëra brenda PS, paralajmërojnë skenarin e një manipulimi, siç ndodhi me zgjedhjet e vitit 2007. Akuza ka ardhur nga ish-kryetarja e komisionit të zgjedhjeve në PS, Zamira Çaka, e cila ka drejtuar gishtin tek Genci Gjonçaj, një punonjës i Bashkisë Tiranë, i sjellë në PS nga Rama. Çaka shprehet se Gjoncaj ka konflikt interesi dhe procedurat që po ndiqen për përgatitjen e kongresit janë në kundërshtim me statutin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›