E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet dëshmia e plotë e Dritan Dajtit

21/08/2009  Ekspertët e Prokurorisë në pritje të dëshmisë kyçe për masakrën e Durrësit

Mbahet në kushtet e sigurisë së lartë në Spitalin e Burgut, me këmbë të paralizuar

TIRANË- Ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë në pritje të dëshmisë më të rëndësishme të masakrës së Durrësit, asaj të vetë protagonistit, Dritan Dajti. Në ambientet e Spitalit të Burgut vijon të ketë masa të larta sigurie, teksa mësohet se Dajti pasi është konsultuar me avokatin e tij dhe së shpejti do të japë dëshminë për masakrën e Durrësit. Ende nuk dihet me saktësi se ç do të thotë Dajti në dëshminë e tij, por gjithsesi priten të dhëna që ende s’janë bërë publike. Sakaq, disa herë Dajti është shprehur nga brenda burgut se po e trajtojnë keq dhe se policia i kishte grabitur 150 mijë euro gjatë operacionit, para të cilat ai i mbante me vete në makinë. Nga përleshja e së premtes duket se Dritan Dajti do të mbetet i paralizuar në këmbën e djathtë. Kjo pohohet nga mjeku. Ylber Vata Drejtor i Spitalit të Burgut thotë se “Gjendja e Dajtit është e mirë dhe dje i është parë plaga e mjekuar atë ditë nga Spitali i Durrësit. Ai është jashtë rrezikut për jetën”. Drejtori Vata, në profesion kirurg, na shpjegon se Dritan Dajti, personi që qëlloi mbi katër policët nuk tregohet aq agresiv me stafin e mjekëve. Vata shprehet gjithashtu se “Nuk është agresiv me stafin mjekësor”. Drejtori i spitalit shpjegon se Dritan Dajti do të vuajë vetëm një pasojë shëndetësore nga plumbat e marrë. “Njëra këmbë, ajo e djathta konsiderohet si e paralizuar”,- thotë ai. Familjarë të Dajtit akuzojnë mjekët e spitalit se po mbajnë në kushte çnjerëzore Dajtin, duke aluduar se ai qëndron i lidhur pas shtratit. Por kreu i spitalit, Vata deklaron se Dritan Dajti trajtohet ndryshe nga të sëmurët e tjerë duke i krijuar kondita shumë herë më të mira, sigurisht duke ruajtur dhe kushtet e sigurisë. Ambientet e Spitalit të Burgut momentalisht ndodhen në kushtet e një sigurie të lartë dhe nuk janë lejuar vizita të shpeshta të familjarëve, nga frika për ndonjë arratisje tjetër të mundshme të tij apo shkëmbim informacioni mes familjarëve dhe Dajtit.

Jeta kriminale e Dritan Dajtit,

akuzat e ngritura ndaj tij

Përveç gjobvënies, trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike dyshohet se është veprimtaria tjetër e paligjshme dhe fitimprurëse për grupin kriminal. Sipas burimeve, bëhet e ditur se Dritan Dajti ka shfrytëzuar lidhjet e tij për të hyrë në linjën e trafikut. Dyshimet për trafik narkotikësh përkojnë edhe me lidhjet shoqërore të Dritan Dajtit dhe Emiliano Shullazit, njërit prej të dënuarve më famëkeqe në këtë fushë, i cili u arrestua në vitin 2005. Në atë kohë u tha se së bashku me Shullazin, në automjetin me të cilin lëvizte, gjendej edhe Dritan Dajti së bashku me të tjerë anëtarë të grupit. Gjithashtu ai akuzohet edhe si i implikuar në disa vrasje në kryeqytet. Nga ana tjetër s’kanë të ndalur edhe kontrollet në banesën e Dajtit, ku së fundmi janë gjetur edhe disa shkresa apo listë-pagesa, me të cilat dyshohet se ka paguar të tijtë gjatë aktiviteteve kriminale.

Policët e shpërblimi

Më datë 7 gusht në zonë e plazhit të Durrësit, të quajtur “Iliria”, një grup prej katër oficerësh të policisë së shtetit u përpoqën të ndalonin të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Drejtuesi Fatos Haqir Xhani, dhe kryeinspektorët Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari, Altin Idriz Dizdari, u gjendën menjëherë përballë të shtënave nga arma e Dajtit. Si rrjedhojë të katër efektivët e policisë gjetën vdekjen. Qeveria vendosi dhënien e shpërblimit financiar për policët që morën pjesë në operacionin e kapjes së të shumëkërkuarit Dritan Dajti. “Shpërblimin në masën 1 milion lekë të çdo punonjësi të policisë së forcës së posaçme”, thuhet në këtë vendim. Për përballimin e dhënies së shpërblimeve qeveria i akordoi Ministrisë së Brendshme një shtesë në buxhetin e saj. “Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2009, t’i shtohet fondi prej 12 milionë lekësh, për shpërblimin e punonjësve”, thuhet në vendim. Sipas vendimit të qeverisë, ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërkohë që lista me emrat e punonjësve të përcaktohet nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›