E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kredibiliteti dhe Kur’ani

19/05/2005  Revista amerikane Newsweek është nën sulm. Ajo po tërheq tashmë pjesërisht një lajm eksploziv që shkaktoi 17 të vdekur në Afganistan. Por edhe me tërheqjen, revista vijon të jetë pas lajmit. Dhe hendeku i kredibilitetit mes medias dhe publikut vazhdon të zgjerohet

Diçka nuk shkon kur agjenci të respektuara shtypi bëhen prodhuese, dhe jo raportuese të lajmeve. Rasti më i fundit i kësaj erdhi në fundjavë, kur një lajm në revistën Newsweek, që thoshte se hetuesit në Gjirin e Guantanamos kishin përdhosur kopje të Kur’anit, me shpresën për të nxjerrë informacione nga të burgosurit, pati rezultate të trishtueshëm dhe të përgjakshëm. Lajmi shkaktoi shpërthimin e një ndjenje zhurmëmadhe antiamerikane në Afganistanin, që ndërkohë ishte goxha i paqëndrueshëm. 17 vetë vdiqën. Të hënën – e gjendur përballë një trysnie të madhe ndërkombëtare dhe vendase – Newsweek tërhoqi lajmin, duke thënë se ndryshoi rrëfimin e tij si dhe detajet që rrethonin përdhosjen e supozuar të Kur’anit. Megjithatë, revista këmbëngul se një zyrtari të lartë të Pentagonit i ishte dhënë një kopje e lajmit paraprakisht, dhe ai ishte pyetur nëse ishte e saktë. Burimi pranoi se nuk kishte patur shkelje sa i përket lajmit të përdhosjes së Kur’anit, por i bëri disa ndryshime të parëndësishme.

Rrëmuja e kësaj sage – dhe fakti që askush nuk e di se si është e vërteta – është dëshpërues. Sidomos duke patur parasysh që kanë vdekur njerëz, për shkak të asaj që është shkruar. Dhe, siç këmbëngul me të drejtë një editorial në gazetën Jordan Times, të ditës së martë, në epokën e post Abu Ghraibit ka një “mangësi kredibiliteti”. Me fjalë të tjera, lë të kuptohet gazeta, Amerika e ka hedhur tashmë në erë imazhin e saj si një pushtues mirëdashës dhe të ndjeshëm. “Edhe një fshatar analfabet i zakonshëm e kupton që falja e Newsweek ishte një vendim i Amerikës për të shpëtuar vetveten”, thotë gazeta, duke cituar një klerik mysliman afgan. “Ajo falje ka ardhur për shak të trysnisë së administratës amerikane”.

Cinizmi arab është i falshëm

Gazeta këmbëngul se cinizmi arab është i falshëm duke patur parasysh klimën aktuale dhe faktin që hedhja në WC e Kur’anit “si mënyrë për të ushtruar presion psikologjik ndaj të burgosurve myslimanë në Guantanamo duket tërësisht në përputhje me taktikat e hetimit të zhvilluara në burgje të tjerë”. Mendoni Lindi England. Shqetësues është edhe fakti që edhe të tjerë të burgosur në Guantanamo kanë bërë akuza të ngjashme. Pentagoni i ka hedhur gjithnjë poshtë, si të pabaza. Po sa akuza të pabaza duhen për të ngritur një dyshim?

“Perëndimi nuk lodhet kurrë duke na thënë ne, në rajonin arab, se transparenca është mëma e kredibilitetit”, shkruante Jordan Times. “Por, është mungesa e transparencës që ushqen cinizmin”. Vërtet.

Pentagoni jo vetëm ka hedhur poshtë saktësinë e akuzave në këtë rast të veçantë, por ka shtuar se të tjerë lajme për përdhosje të Kur’anit janë hetuar dhe kanë rezultuar të pabesueshëm. A mund të na thotë ndokush për çfarë akuzash bëhet fjalë? Kur kanë ndodhur? Sa shpesh dhe ku?

Situata shpërthyese në Afganistan

E vërteta është, siç e nënvizon me të shpejtë Newsweek në një editorial, që lajmi për Kur’anin erdhi në një moment delikat të politikës në Afganistan. Kundërshtarë të qeverisë aktuale – përfshirë despotë talebanë – kanë kohë që kërkojnë mënyra për të shfrytëzuar pakënaqësinë publike. Ekonomia afgane mbetet e dobët, morali është i ulët dhe afganë të pafajshëm vazhdojnë të bien në burgje për muaj të tërë. Kur lirohen, shumë rëfejnë për abuzime. Ndërsa fermerët janë të zemëruar nga “lufta e shenjtë” e mbështetur nga Evropa, kundër opiumit, e cila po i bën të shohin tek shkatërrohen fusha të tëra fitimprurëse. Pra, popullsia është e prirur për revoltë. Jo vetëm kaq, por Presidenti afgan, Hamid Karzai – që shumë në Afganistan e shohin si kukull të SHBA – do të vizitojë Uashingtonin javën tjetër. A ka kohë më të mirë për të krijuar fërkim?

Faji të shkojë edhe mbi shpatullat e medias, e cila edhe ajo duhet të ruajë kredibilitetin gazetaresk. Çdokush mund ta kuptojë përse Newsweek u fut në këtë telash.

Por kjo tërheqje... Duket sikur revista ose po kërkon të shmangë përgjegjësinë e plotë për një gabim – ose vazhdon ta besojë historinë, por ka trysni të jashtme për ta tërhequr. Duhet që revista dhe e gjithë media të kenë të njëjtën hapje si ajo që i kërkojnë qeverisë. Të paktën atëherë, “mangësia e kredibilitetit” nuk do të infektojë edhe median.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›