E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skënderbeu në engimat kishtare

19/05/2005  Gjendja kishtare në Shqipëri në kohën e Skënderbeut - Sot për historianët e këtyre problemeve janë mundësitë për të patur në dorë të gjithë dokumentacionin e ruajtur dhe botuar, i cili sidoqoftë pret dhe kërkime të mëtejshme në arkivat, krahas dhe botimit të sistematizuar të tij në gjuhën shqipe, sepse vetëm atëherë do të kemi një njohje të plotë e të mirë të historisë së organizimit të krishterë në trojet e shqiptarëve.

Aleksandër Meksi

Shekulli i 15-të është një shekull i trazuar për shqiptarët, një shekull ndryshimesh të mëdha në të gjitha aspektet e jetës - shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe me pasoja të mëdha në nivelin e zhvillimit të vendit dhe kahjen e tij. Historia e këtij shekulli njihet përgjithësisht mirë dhe, pikërisht thellimit të saj i shërben dhe kjo konferencë që na ka mbledhur sot.

Ndodhitë historike të këtij shekulli janë të dokumentuara më mirë se nga çdo shekull tjetër paraardhës, dhe më tepër se kurdoherë aktor kryesor në këto troje janë shqiptarët. Paraqitja e jonë është një përpjekje për të trajtuar një aspekt të kësaj historie, atë të strukturave të organizimit kishtar, për sa është e mundur në caqet e një kumtese dhe për aq sa mundëson sot dokumentacioni i ruajtur dhe i botuar.

Në prag të këtij shekulli, shqiptarët ishin të ndarë ndërmjet dy besimeve të krishtera - katolicizmit dhe ortodoksisë, dhe historia e strukturave të tyre është edhe histori e kundërvënies së tyre dhe e avancimit të katolicizmit, me tradita të vjetra të romanitetit, në kurriz të ortodoksisë, por që, megjithatë, siç vëren Shuflai, nuk ka në Shqipërinë mesjetare asnjë gjurmë të luftës fanatike ndërmjet tyre.

***

Gjatë fundit të shek. 14 dhe fillimit të shek. 15, kisha katolike e ndihmuar dhe e përkrahur, veç Papatit e përkrahur edhe nga sundimi i Republikës së Venedikut në qytetet e bregdetit dhe prapatokës së tyre, fitoi edhe më tepër terren në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, duke arritur të shtrihet deri dhe në brendësi të Kosovës së sotme. Rënia e Konstandinopojës në duart e latinëve, në fillim të shekullit të 13-të, krijimi i Despotatit të Epirit dhe i Mbretërisë shqiptare të Anzhuinëve, gjatë po këtij shekulli, janë ngjarjet kryesore politike, të cilat shënojnë dhe ndryshime të rëndësishme në hartën e organizimit të strukturave kishtare në trojet e shqiptarëve, që thellohen më tepër në shekujt që pasojnë gjatë procesit të krijimit të principatave feudale vendase. Copëzimi feudal, antagonizmi ndërmjet tyre, ai ndërmjet pushteteve qendrore të Lindjes dhe Perëndimit, dhe sidomos ndërmjet kishave, ndryshon në mjaft aspekte hartën tradicionale të strukturave kishtare dhe vartësinë e tyre në prag të shekullit të Skënderbeut, në prag të luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Sot për historianët e këtyre problemeve janë mundësitë për të patur në dorë të gjithë dokumentacionin e ruajtur dhe botuar, i cili, sidoqoftë pret dhe kërkime të mëtejshme në arkivat, krahas dhe botimit të sistematizuar të tij në gjuhën shqipe, sepse vetëm atëherë do të kemi një njohje të plotë e të mirë të historisë së organizimit të krishterë në trojet e shqiptarëve.

Siç dihet, në fundin e shekullit të 14-të fillojnë inkursionet e para turke në tokat e banuara nga shqiptarët, ndërsa vendosje të garnizoneve të tyre, veç rasteve sporadike, ka në mënyrë të rregullt pas vitit 1415, që përbën dhe një vit kyç për historinë e territoreve të pushtuara. Në aspektin dokumentar janë Tefteri i Sanxhakut Arvanid dhe ai i Korçës dhe Përmetit, të dy të vitit 1431-‘32, që na njohin, në kuadrin e paraqitjes së timareve, me praninë e peshkopatave të krishtera në territoret ku u vendos administrata osmane. Sipas tyre përmenden Timare dhe prona të metropolitëve dhe peshkopëve në një hapësirë të përfshirë ndërmjet Krujës në veri dhe Gjirokastrës në jug, pra në gjithë territorin e Sanxhakut Arvanid, çka flet qartë për një vazhdimësi të peshkopatave, por që me mjaft gjasë prelatët e tyre janë të tërhequr në manastire dhe prona të tyret. Në Teftere përmenden shprehimisht timare të peshkopëve në Korçë, Gjirokastër, Kaninë, Berat, Skrapar, në vilajetin Çartalloz, Krujë (Akçehisar), shpesh me shprehjen “e shfrytëzonin me berat peshkopët e mëparshëm” ose me shënimin “ju la sërish me beratin e sulltanit”.

Për këto territore, në aspektin që na intereson kemi një të dhënë me vlerë, që është përmendja në vitin 1438 e metropolitit Teodor të Glavinicës dhe Belagradës, seli që vërtetohet dhe në Tefteret, çka tregon për një ndryshim në strukturat e kishave të Shqipërisë në vartësi të Patrikanës së Ohrit, të cilat i nënrendohen Beratit për një administrim më të lehtë. Ndërkohë një noticie e shek. 15-të (Noticia Darouzes 21) na jep në jug, në vartësi të Metropolisë së Janinës, peshkopatat e Drinopojë-Argjirokastrës, Buthrot-Glikit dhe Himarës.

***

Ndërsa mungojnë të dhëna të tjera të drejtpërdrejta për peshkopatat e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore të lidhura me Ohrin dhe Konstantinopojën, kemi më shumë dëshmi për strukturat e kishës katolike të lidhura me Romën nëpërmjet kryepeshkopatave të Tivarit dhe Durrësit, ndër të tjera edhe për arsye se emërimet e peshkopëve katolikë bëheshin nga Kuria romane. Nëse i referohemi historisë është një fakt i njohur që, kisha katolike, duke filluar nga mesi i shekullit të 12-të, nëpërmjet kryepeshkopatës së Raguzës, që zëvendësohet pak më vonë nga ajo e Tivarit (Antivarit), shtrihet në gjithë Shqipërinë e Veriut, duke arritur në periudhën që na intereson deri në Prizren. Ajo është një kishë e shqiptarëve dhe në territore të sunduara nga feudalë vendas. Gjatë shekujve të mëparshëm (sundimi anzhuin) kisha katolike arriti të shtrihet deri në Vlorë (Avellonense), Cernikë (Cernicense) e cila në vitin 1507 del me emrin e vjetër Scampense dhe Vrego (Vergensis), duke patur në këto raste si qendër kryepeshkopale Durrësin (Duracensis), prej të cilit varen dhe Kruja (Croense), Lezha (Alexiense), Stefaniaka (Stephanense et Bendense, madje dhe Bendense et Priscense) dhe Kunavia (Canoviense). Për to kemi përmendje të shumta gjatë gjithë shekullit të 15-të.

Në fillim të shekullit të 15-të dëshmohen në vartësi të kryepeshkopatës së Tivarit disa peshkopata: Ulqini (Dulcinense), Shasi (Suacinense), Shkodra (Scodrinensis), Balleci, Drishti (Drivastense), Danja (Danense), Shurdhahu (Sardenensis), Pulti (Polatensis) që nga mesi i shekullit ndahet në Polatensis Maior (Sarda) dhe Polatensis Minor (në Shën Pal të Pultit), Shati (Sappatensis), Prizreni (Prisrenensis), Arbëria (Arbanensis).

Peshkopatat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut mund të vështrohen në dy grupe, së pari, ato në qytetet–qendra peshkopale që janë zotërime të Venedikut, së dyti, ato në qendrat peshkopale që janë zotërime të feudalëve vendas. Vetëkuptohet se për periudhën në studim janë në kushte më të sigurta dhe më të mira për të vepruar të parat, për sa kohë që zotërimet e Venedikut nuk kanë rënë “në dorë të turkut”.

***

Burimet historike na flasin qartë se lufta kundër pushtuesve osmanë pati dhe një sfond religjoz, përderisa Papati dhe të tjerë e quajtën Gjergj Kastriotin kampion të krishterimit. Në këtë kuptim, kleri i krishterë ka luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm në këtë shekull qëndrese. Por, avancimi i turqve në trojet shqiptare, shtrirja e pushtimit që shoqërohej me vendosjen e regjimit të timarit, sigurisht që ka ndikuar thellësisht në jetën dhe qenien e klerit të krishterë, po aq dhe të besimtarëve, në tkurrjen e “pushtetit” të qendrave peshkopale dhe të zvogëlimit të pronave të tyre, me largimin e tyre nga qytetet drejt manastireve të fuqishme, apo dhe në zhvendosjen në qytetet e bregdetit, ende në zotërim të Venedikut, madje dhe gjetkë. Një tablo pak më e ndryshme ndodh në territoret e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, që ishin të besimit ortodoks. Me vendosjen e sistemit të timarit (me mjaft gjasë, gjatë sundimit të sulltan Mehmetit të parë-Çelebiut), në regjistrat përkatës cilësohen pronat e kishave, peshkopatave dhe metropolitit (fjala është për atë të Beratit). Kjo do të thotë që politika e deklaruar nga sulltan Mehmeti i dytë, pas rënies apo pushtimit të Konstantinopojës në vitin 1453, d.m.th. Patrikanës, pra dhe kishave shufragane, u lanë me ferman pronat dhe të drejta të tjera, edhe u zbatua në një farë mase së paku gjatë shekullit të 15-të.

Sprova që duhen thelluar

Me vdekjen e Heroit dhe rënien më vonë të Krujës, e pas pak viteve të Shkodrës, shumë ndryshime ndodhin në strukturat kishtare për disa dhe dhjetëvjeçarë më përpara. Kështu në vitin 1431, peshkopi i Danjës, i cili që nga viti 1428 quhej dhe i Sapës dhe Sardës, zhvendoset në abacinë e Shën Sofisë së Gentës në Mazrek. Rreth vitit 1478 zhduket për të mos u përmendur më dhe peshkopata e Ballecit, ndërsa ajo e Lezhës, pas vitit 1478 kur pushtohet qyteti, zhvendoset në fshatin Kallmet. Po kështu, pas vitit 1529 zhduket dhe peshkopata e Kunavisë. Do të duhet kohë për të kaluar, siç thotë Shuflai, në një shtresë të re të strukturave kishtare, rezultat i kushteve të reja (krejt të ndryshme) politike, i gjendjes ekonomike e shoqërore të vendit dhe i fillimit të procesit të islamizimit të popullësisë vendase.

Nga ky shqyrtim i parë dhe në vija të përgjithshme i gjendjes kishtare në shekullin e 15-të, kuptohet rëndësia e thellimit të kësaj sprove në disa aspekte.

Së pari, duhet kërkuar më me imtësi në dokumentacionin historik të ruajtur, historia e ndryshimeve që kanë pësuar strukturat kishtare në këtë shekull të vështirë si dhe çdo burim tjetër që lidhet me gjendjen kishtare. Sot një gjë e tillë është e mundshme dhe ne do përpiqemi të vazhdojmë të punojmë në kuadër të studimit të organizimit dhe të hierarkisë kishtare në Shqipëri dhe detyrimisht edhe të botimit të tij.

Së dyti, duhet të vihet në dukje roli i kishës dhe i klerit në rezistencën ndaj pushtimit dhe privacionet, kufizimet dhe të drejtat që u lanë atyre në këtë periudhë me pushtimin e vendit, nëpërmjet studimit të burimeve si osmane, ashtu dhe atyre perëndimore.

Së treti, duhet të njihet më mirë fati i ndërtimeve të kultit të krishterë me pushtimin dhe në dhjetëvjeçarët që pasojnë. Burimet dhe kërkimet në terren kanë evidentuar si raste të rrënimit, ashtu dhe të kthimit të tyre në faltore islamike. Me mjaft interes në këtë aspekt do të ishte studimi i fermaneve apo lejeve për ndërtime dhe rindërtime të kishave, të cilat ruhen në Arkivin e Vakëfeve.

Së katërti, duhet të evidentohen marrëdhëniet e klasës feudale vendase dhe, në veçanti, të Heroit Kombëtar me të dy kishat dhe klerin e tyre, si dhe orientimi i besimtarëve, aspekte deri diku të njohura dhe të faktuara, por që duhet të jenë më të plota dhe bindëse dhe, që patjetër duhet të shpjegohen dukuritë, sidomos prania e strukturave të tyre në zotërimet e Kastriotëve.

Prap korniza për Skënderbeun

Kur veprat kalojnë shifrat njëqindëshe të numërimit mbi heroin tonë kombëtar, një konferencë e thërritur nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë, merr përmasat e një laboratori për rrahje tezash. Ky rast për studiuesit e Skënderbeut ishte dje në vitin e 600 të lindjes së heroit, ku akademikë, profesorë, u mblodhën në mjediset e hotel “Tirana Internacional”.

“Gjergj Kastriot –Skënderbeu në historinë e shqiptarëve”, nën këtë logo, konferenca nuk të lë shijen se aty mund të gjesh debatet më të rafinuara. Përpos rrahjeve të njohura të portretit të pamunguar në këtë vit, të heroit tonë, në gjithëfarësoj formash. Duke iu referuar gjithë gamës së referencave, sidomos titujve të përzgjedhur për kumt, bie në sy hyrja jo fort intriguese që ka të bëjë me “Rëndësinë e Kuvendit të Lezhës”, të mbajtur nga prof.dr.Selim Daci, kur prof.dr. Aleksandër Meksi lë disa detyra për historianët për t’u thelluar më tej në problemet kishtare në vaktin e Skënderbeut.

Duke krijuar tërë fizionominë “kulturore” mbi figurën e heroit tonë kombëtar dhe përkimit kohor, studiuesit u ndalën në aspekte si “Fisnikëria shqiptare dhe qëndresa kundërosmane e Skënderbeut; rasti i Muzakajve”, referuar nga prof.dr Ferid Duka. Gati më spektakolare, por me një frymë më të zbehtë shkencore, ishte referimi i studiuesit Petrika Thëngjilli, duke prekur me mjaft nxitim një nga tezat më të rrahura midis historiografisë greke dhe asaj shqiptare, që ka të bëjë me pushtimin osman dhe “implikimin” e popullit shqiptar me perandorinë osmane kundër popujve të Ballkanit. Në këtë suazë teze, kumtesa “Rreth pikëpamjes mbi ndarjen ‘skënderbegas’ dhe vasalë”, prof.dr. Thëngjilli veçon parimisht termat mbi të cilat është abuzuar me figura që vranë e prenë pa pasur lidhje me luftën shqiptare për çlirim. Ndërsa kumtesa e prof.dr. Luan Malltezit zuri një hark kohor, kur në vendin tonë lulëzuan tregjet e kripës, që përkonin me kohën e Skënderbeut. Prof.asoc.ar. Ajet Shehu, krejt ndryshe nga kolegët e tij, do dallonte në kumtesë “Figura e Skënderbeut në këndvështrimin e regjimit komunist”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›