Kreditë, bankat e nivelit të dytë do rrisin interesat
Kreditë nga bankat e nivelit të dytë jo vetëm që po shtrëngojnë kushtet për dhënien e tyre, por së shpejti pritet të rrisin edhe interesat. Tani ata që do të marrin kredi, apo kanë një kredi në proces, do të paguajnë më shumë për këstin mujor. Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, pritet që të kenë norma më të larta të interesit për kreditë që do të akordohen në tremujorin e dytë të vitit 2009. Ky është një nga konkluzionet e “vrojtimit të aktivitetit kreditues”, studim, që përgatitet çdo tre muaj nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, duke anketuar operatorët bankarë të vendit. Madje, sipas studimit, pritet që më shumë të rritet interesi i kredive në valutë. Siç duket, tendenca për të rritur kreditë në valutë ka shtyrë shqiptarët të marrin kredi në lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një tendencë rritjeje për kredinë në lekë gjatë fillimit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, kredia në lekë në muajin shkurt të këtij viti u rrit me 2 pikë përqindjeje. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj, njofton se në fund të muajit shkurt 2009, kredia në lekë zuri 29 për qind të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Kjo zhvendosje vlerësohet nga ekspertët si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Ndërkaq, rezultatet nga vrojtimi i aktivitetit kreditues tregojnë se kriteret për kreditë dhënë bizneseve dhe individëve, në përgjithësi mbeten të shtrënguara edhe për tremujorin e parë të vitit 2009, thuhet në studimin e BSH-së. Faktorët kryesorë pas politikës shtrënguese të bankave vijojnë të jenë si në vrojtimet e kaluara: vlerësimi për situatën makroekonomike dhe faktorë specifikë të sektorit ku operojnë për bizneset, nga njëra anë, si dhe gjendja financiare për individët. Faktorët me ndikimin më të madh në shtrëngimin e kritereve të kredisë bankare drejt bizneseve janë gjendja aktuale dhe e pritshme makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit ku operojnë firmat. Por, edhe gjendja e kredive me probleme (kreditë e këqija) janë një faktor, rëndësia e të cilave në shtrëngimin e standardeve të miratimit të kredive është rritur në tremujorin e parë të këtij viti. Kriteret për dhënien nga bankat të kredive për klientët personalë janë shtrënguar me të njëjtin intensitet, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për kredinë për blerje banese. Bankat kanë renditur situatën në tregun e pasurive të paluajtshme, gjendjen financiare të individëve, si dhe nivelin aktual ose të pritshëm të likuiditetit të bankës si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies gjatë tremujorit të parë të vitit 2009.