E Diel, 1 Nëntor 2026

TVSH-ja e tatimi mbi të ardhurat personale mbushin buxhetin



Të ardhurat nga TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) kanë sjellë pjesën e luanit në totalin e të ardhurave të administratës tatimore. Vetëm në vitin 2008 janë arkëtuar nga TVSH-ja rreth 107.1 miliardë lekë, ndërsa i pritshmi i vitit 2009 është 117.5 miliardë lekë nga ky zë. Po të shohësh grafikun e publikuar nga Ministria e Financave, vë re se të ardhurat nga TVSH-ja kanë një rritje të ndjeshme nga viti në vit. Kështu në vitin 2000 të ardhurat nga TVSH-ja ishin 38.1 miliardë lekë, duke u rritur gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Në vitin 2005, kur qeveria demokratike mori pushtetin dhe të drejtën për të qeverisur për katër vjet, të ardhurat nga TVSH-ja në fund të vitit ishin 64.5 miliardë lekë dhe nga viti në vit e rriti vlerën e të ardhurave nga ky zë.

Një zë që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave tatimore ka qenë edhe tatimi mbi të ardhurat personale. Tatimi mbi të ardhurat personale ka rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e administratës tatimore në vitin 2008 dhe po e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në fund të vitit 2009. Aplikimi i taksës së sheshtë që parashikon tatim 10% për qind mbi të gjitha të ardhurat personale, është efekti i kësaj rritjeje të dukshme. Tashmë, të punësuarit në shtet apo tek privati, janë të detyruar të paguajnë 10 për qind të pagës si tatim ndaj administratës tatimore. Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve bënë me dije se tatimi mbi të ardhurat personale është rritur ndjeshëm, në vitin 2008, krahasuar me atë të vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2008 të ardhurat nga tatimi i të ardhurave personale u realizuan në vlerën e 24.4 miliardë lekëve, ndërsa i pritshmi i vitit 2009 është 26.1 miliardë lekë. Drejtuesit e tatimeve theksojnë se ky tatim gjithnjë e më shumë po luan një rol të rëndësishëm në realizimin e të ardhurave tatimore dhe po u afrohet parametrave të këtij lloj tatimi në vendet e tjera me buxhete dhe të ardhura të konsoliduara.

Taksa e sheshtë 10 për qind për disa lloj tatimesh, e cila nisi të aplikohej në vitin 2008, ka synuar ta bëjë sistemin fiskal më të lehtë për tatimorët gjatë procesit të grumbullimit të taksave dhe po kështu të lehtësojë biznesin për mënyrën se si do të përllogarisë detyrimet që do të paguajë për buxhetin. Ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale në biznesin e vogël synon të mos qarkullojë më mallra pa dokumente.

Një ndihmë shumë e madhe për komunitetin e biznesit është dhe aplikimi i deklarimit nëpërmjet sistemit elektronik. Tashmë skema e deklarimit të detyrimeve tatimore në mënyrë elektronike është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha llojet e detyrimeve që biznesi ka ndaj administratës tatimore mund të deklarohen nëpërmjet sistemit elektronik, duke ulur edhe koston e kohës që biznesi shpenzonte për këtë lloj shërbimi. Kjo skemë funksionon me efikasitet dhe të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore, duke përfshirë edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël, kanë mundësinë të shkarkojnë dhe deklarojnë elektronikisht Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH); Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP); kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; tatimin mbi fitimin, i cili përfshin si parapagesën mujore ashtu edhe deklarimin vjetor; tatimin mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël.

Të ardhurat nga TVSH-ja

Viti 2009 117.5 miliardë lekë

Viti 2008 107.1 miliardë lekë

Viti 2007 87.8 miliardë lekë

Viti 2006 74.3 miliardë lekë

Viti 2005 64.5 miliardë lekë

Viti 2004 58.2 miliardë lekë

Viti 2003 50.6 miliardë lekë

Viti 2002 46.1 miliardë lekë

Viti 2001 41.1 miliardë lekë

Viti 2000 38.1 miliardë lekë

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale:

Viti 2009 26.1 miliardë lekë

Viti 2008 24.4 miliardë lekë

Viti 2007 14.8 miliardë lekë

Viti 2006 8.6 miliardë lekë

Viti 2005 7.4 miliardë lekë

Viti 2004 6.9 miliardë lekë

Viti 2003 6.4 miliardë lekë

Viti 2002 6.1 miliardë lekë

Viti 2001 6.3 miliardë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›