Topi, Ivanov: Kosova, shtet i pavarur
Shqipëria kërkon përfshirjen e Kosovës në tryeza, forume dhe projekte të përbashkëta rajonale. Sipas Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kjo do t’i shërbente rritjes së mëtejshme të frymës së bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor me synim integrimin e përbashkët në strukturat euroatlantike dhe familjen e madhe evropiane. Presidenti Bamir Topi bisedoi dje afro një orë kokë më kokë me homologun e tij maqedonas, Gjeorgje Ivanov në mjediset e hotelit “Adriatik” në Durrës, por krerët e dy shteteve nuk bënë asnjë deklaratë për mediat e pranishme. Sipas një njoftimi për shtyp të Presidencës shqiptare, takimi u zhvillua me kërkesë të Ivanovit, i cili po kalon transit në vendin tonë për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridorët Kulturorë që do të zhvillohet në Cetinë të Malit të Zi. Topi dhe Ivanov biseduan për bashkëpunimin mes Tiranës dhe Shkupit, por edhe për integrimet e përbashkëta euroatlantike. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi në takim se tashmë Republika e Kosovës po konfirmohet me shumë sukses si një shtet i pavarur, demokratik e shumetnik dhe se mbështetja e vendeve fqine duhet marrë karakterin e partneritetit reciprok si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë diplomatik e politik në interes të sigurisë e zhvillimit afatgjatë të rajonit tonë. Ky është takimi i parë Topi-Ivanov, pas atij në ceremoninë e përurimit të Presidentit maqedonas. Deklaratat e Topit për Kosovën vijnë në një moment kur Presidenti Sejdiu nuk u ftua nga Ivanovi në ceremoninë e përurimit, ndërsa atij iu desh që të anulonte edhe vizitën në Shkup, pasi ajo u kthye nga zyrtare në një vizitë private. Presidenti Topi shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e Sejdiut në ceremoni ditën e përurimit të homologut maqedonas, ndërsa ky takim i dytë me Ivanovin vjen pas anulimit të vizitës së Presidentit të Kosovës në Shkup. Megjithatë, të dy personalitetet e larta vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona, duke shprehur vullnetin politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat si dhe angazhimi i përbashkët në interes të proceseve rajonale të integrimit euroatlantik.