E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, më pak kredi për biznesin

02/06/2009  Parashikimi i BSH-së: Frenimi i kreditimit, pasoja në aktivitetin ekonomik në vend

Kredia për korporatat ishte 266,5 miliardë lekë në fund të muajit prill

Bankat kanë dhënë më pak kredi për biznesin. Muaji prill rezultoi akoma më i “varfër” për xhepat e bizneseve që po vuajnë nga mungesa e likuiditetit. Kjo në krahasim me një muaj më parë, por edhe në krahasim me muajin prill të vitit të kaluar. Shifrat e Shoqatës së Bankave tregojnë për një rënie të kreditimit kryesisht në valutë, ndërsa sa i përket kredisë në lekë bankat janë treguar më dorëlëshuara. Në total, diferenca mes shifrave për kreditë e reja të dhëna gjatë muajit prill, siç duket edhe në tabelë, është më shumë se 77 milionë lekë. Në total, sipas të dhënave portofoli i kredisë për biznese, ishte 266,5 miliardë lekë në fund të muajit prill, ndërsa një muaj më parë, në mars, kjo shifër ishte 275,8 miliardë lekë.

Ulja e ritmeve

Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga bankat e nivelit të dytë, në fund të muajit mars 2009, portofoli i kredive në total, për bizneset dhe për individët ishte 347.7 miliardë lekë, nga 310.2 miliardë lekë që ishte ky tregues në fund të marsit të vitit 2008. Faktin që ekonomia shqiptare do të përfitojë më pak kredi gjatë vitit 2009 e ka deklaruar më herët Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai ka theksuar se niveli i kreditimit do të vazhdojë të pësojë rënie, ashtu si dërgesat nga emigrantët. Kjo situatë do të përkthehet në më pak para për qytetarët dhe bizneset dhe rrjedhimisht, edhe për ekonominë. “Problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe, i lidhur me të, shtrëngimi i kushteve të financimit të aktivitetit”, - është shprehur Fullani.

Pasojat e frenimit të kredisë

Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu se norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë është ngadalësuar më tej. Madje, sipas institucionit më të lartë mbikëqyrës, zgjatja në kohë e frenimit të kreditimit mund të ketë pasoja në aktivitetin ekonomik në vend. Shtrëngimi i standardeve dhe i kushteve të kredidhënies nga bankat tregtare ka ndikuar, si në rënien e ofertës, ashtu edhe në kërkesën për kredi nga agjentët ekonomikë. “Kjo ecuri ka efekte të padëshirueshme në perspektivën e zhvillimit ekonomik nëpërmjet ndikimit në konsum dhe në investimet private. Ecuria e portofolit të kredisë për biznese luan një rol kryesor në këtë drejtim. Tkurrja e financimit të projekteve investuese të bizneseve në ekonomi, do të ushtronte presion negativ në ritmet e rritjes ekonomike. Për më tepër edhe tkurrja e kredisë për individë do të ndikonte në rënien e konsumit apo të pasurisë të individëve, duke ushtruar më tepër presion për uljen e mëtejshme të ritmeve ekonomike”, - thekson raporti i BSH-së. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2009, vrojtimi i aktivitetit kreditues të bankave, nxori në pah se bankat kanë shtrënguar kushtet edhe për kreditimin e bizneseve.

Kreditë e reja për biznese Prill 2009 Mars 2009

(‘000)

Lek 5,011,888 6,520,854

Overdraft 2,868,592 3,120,366

Kapital 1,367,004 2,749,695

Makineri 440,224 440,032

Pasuri të Paluajtshme 336,068 210,761

Dollarë amerikanë 3,229,096 779,045

Overdraft 2,743,288 271,995

Kapital 436,567 462,490

Makineri 36,438 29,589

Pasuri të Paluajtshme 12,802 14,972

Euro 8,092,301 9,111,688

Overdraft 2,406,026 3,459,846

Kapital 1,419,147 3,947,082

Makineri 3,503,010 1,358,719

Pasuri të Paluajtshme 772,917 346,042

Monedha të tjera 1,003 -

Overdraft 0 -

Kapital - -

Makineri - -

Pasuri të Paluajtshme 1,003 -

Total 16,334,288 16,411,588

Sipas Konfindustrisë, problematika është shqetësuese

Grupimet e biznesit kërkojnë

lehtësimin e kushteve të kredive

Grupimet e shoqatave të biznesit kanë evidentuar faktin se sipërmarrësit gjenden në vështirësi financiare, për shkak se e kanë të pamundur të marrin kredi nëpër banka. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, gjendja paraqitet më e vështirë në kushtet e zhvillimit të krizës ekonomike globale dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare. “Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për kufizimin e tejskajshëm brenda një kohe të shkurtër të masës së kreditimit nga sistemi bankar me pasoja për bizneset cilësore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kemi të bëjmë me problematikë shqetësuese në menaxhimin e sistemit bankar shqiptar dhe kryesisht të bankave të nivelit të dytë”, - është shprehur Buxhuku, pak kohë më parë. Mbajtja e një niveli të lartë të shpenzimeve publike gjatë vitit financiar në vazhdim nuk ka ndihmuar aspak që kreditimi i ekonomisë nga sektori bankar të rritet. Madje ai është në kufijtë më të ulët historikë, duke ndikuar negativisht në ecurinë e treguesve ekonomike kryesisht në industritë dhe prodhimin vendor. Një prej sektorëve të prekur është edhe ai i ndërtimit. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, viti 2008 pasqyroi një rritje të rëndësisë për faktorin “marrëdhënie me bankat”, i cili u rendit si faktori i tretë i rëndësishëm që ka penguar veprimtarinë e firmave ndërtuese.

Përmirësimi

Lehtësi në marrjen e një kredie pritet të ketë gjatë gjysmës së dytë të vitit, jo vetëm për bizneset, por edhe për qytetarët. “Për tremujorin e dytë të vitit 2009, bankat shprehen për shtrëngim në shkallë më të ulët të kritereve dhe standardeve të miratimit të kredive për individët”, - thekson BSH-ja. Që prej fundit të vitit 2008 dhe gjatë tre muajve të parë të 2009-s, bankat zbatuan politika shtrënguese për kreditë.

Portofoli

Për një vit portofoli i kredisë është rritur me 377 milionë dollarë. Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Bankave në vend, portofoli i kredisë në harkun kohor të një viti është rritur me 37.7 miliardë lekë, ose 377 milionë dollarë amerikanë. Në fund të muajit mars 2009, portofoli i kredive ishte 347.7 miliardë lekë, nga 310.2 miliardë lekë që ishte ky tregues në fund të marsit të vitit 2008.

Ndryshimi

Rritja e portofolit të kredisë në harkun kohor të një viti rezulton të jetë tepër e ulët, nëse krahasohet me periudhat e mëparshme. Këtë gjë e kanë vënë në dukje vrojtimet e Bankës së Shqipërisë, si dhe analizat e saj monetare. Ekspertët nënvizojnë se këto fakte tregojnë që sistemi bankar ka shtrënguar kriteret e veta dhe ka zgjatur kohën e dhënies së kredive, pas efekteve të krizës ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›