E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mospagimi i taksave për makinën, policia sekuestron 1270 makina



Drejtoria e Policisë në Durrës pritet të sekuestrojë rreth 1270 makina që ndodhen të bllokuara në Rrashbull dhe në Shkozet, pranë rrugës së vjetër nacionale Durrës-Shijak, pasi poseduesit e tyre nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit. Gjithsesi, policia ka dhënë një afat prej 10 ditësh për pagimin e detyrimeve. Automjetet dhe motoçikletat janë bllokuar gjatë 10 viteve të fundit kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por qëndrimi i tyre për një kohë të gjatë në dy pikat e lartpërmendura jo vetëm që ka çuar në amortizimin e tyre, por dhe në një kosto të lartë për strukturat e policisë. Burime bëjnë të ditur se sekuestrimi ka bazë ligjore të mjaftueshme, pasi po ndërhyhet sipas Udhëzimit numër 160 të janarit të vitit të kaluar. Drejtoria e Policisë ka shpallur listat e automjeteve dhe pronarët e tyre, duke kërkuar shlyerjen e pagesave të parkimit dhe të gjobave administrative të vëna prej vitesh. Në pikën e bllokimit në Rrashbull ndodhen të bllokuara 675 automjete, si autovetura, furgonë dhe kamionçina, si dhe 266 motoçikleta të tipave dhe kapaciteteve të ndryshme. Ndërsa në ish-repartin e FNSH-së Shkozet ndodhen 372 automjete dhe çiklomotorë, që janë bllokuar prej më shumë se 5 vitesh. Ato janë krejtësisht të amortizuara dhe mund të përdoren vetëm për skrap. Mes autoveturave ndodhen dhe furgonë, mikrobuzë e kamionçina, ndërkohë që automjetet kanë kryesisht targa të Durrësit dhe Tiranës, por nuk mungojnë edhe targat e huaja. Pronarët e automjeteve duhet të paraqiten se bashku me dokumentacionin e duhur pranë zyrave të Policisë Rrugore Durrës për të kryer procedurat e pagesës së gjobave dhe të parkimit prej 300 lekë në natë.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›