E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 90 milionë lekë fond shtesë për Gërdecin



Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme një fond prej afro 90 milionë lekësh për Gërdecin. Sipas vendimit të qeverisë, pas verifikimit të dëmeve të shkaktuara në objektet dhe në pronat private si pasojë e aksidentit teknologjik të ndodhur në Gërdec, vlera e dëmeve kap shifrën e 935 900 412 lekëve. Ky fond do të përdoret për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për vlerësimin fillestar të dëmeve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha tha se ky fond do të përdoret kryesisht për kompensimin e banorëve të fshatrave të Manzës, Marikajt si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur. “Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është vendimi për kompensimin përfundimtar për Gërdecin. U bënë riverifikimet dhe rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, ndaj dhe sot vendosëm për fondin shtese prej 90 milionë lekësh, ku përfshihet biznesi, fshatrat e Manzës, Marikajt. Në tërësi këto ishin rivlerësime, ndërsa një pjesë e vogël janë vlerësime që shtrihen në Bashkinë e Manzës dhe komunën Maminas. Pjesa tjetër janë kundërshtime të familjarëve që nuk kanë qenë të bindur për vlerësimin dhe është bërë rivlerësimi”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ky kompensim bëhet pas vendimit të marrë nga qeveria për pagesën e qirave, banorëve që kanë mbetur të pastrehë nga ky aksident. “Pas qirave të ofruara për banorët e kësaj zone po bëhet dhe kompensimi i tyre. Në atë zonë ndërtimi po vazhdon, ndërkohë që qeveria ka marrë të gjitha masat që këto 6 muaj që ata ndërtojnë shtëpitë, t’u akordojë një qira prej 25 mijë lekësh në muaj, shumë kjo që i lejon të strehon në çdo vend dhe në mënyrë të përshtatshme”, - tha kryeministri.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›