E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kreditë e papaguara, kush përfiton nga vendimi i ri”

 

Nëpërmjet një vendimi, Qeveria do të lehtësojë të gjithë ata kredimarrës që kanë pasur probleme me shlyerjen e kredive. Në një intervistë për gazetën Ardian Elezi, drejtues i Zyrës Rajonale të Agjencisë së Trajtimit të Kredive ka sqaruar në detaje se kush do të përfitojë nga ky vendim i ri. Sipas tij, do të falen interesat, gjobat, kamatëvonesat, deri më 31 dhjetor 2009, për të gjithë kategoritë e klientëve, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar.
Zyra juaj sa dosje ka në shqyrtime, sa është vlera e amortizuar e detyrimit të klientëve?
Zyra rajonale e Tiranës është bërë objekt riorganizimesh të vazhdueshme, në kuadër të vizioneve apo të opsioneve strategjike që kanë drejtuesit. Kjo ka bërë që numri i dosjeve i lidhur me degët nën juridiksion të luhatet nga disa mijëra në disa qindra në këtë periudhë. Por ajo që duhet thënë është se zyra e Tiranës, është lider për sa i përket kontributit në performancën e të gjithë Agjencisë. Niveli i arkëtimeve, nga kreditë e papaguara, e përkthyer në terma relative po ashtu dhe absolute, mund të themi që variojnë nga 40 deri në 60 për qind në muaj, në krahasim me të gjithë arkëtimet e Agjencisë. Kjo shumë arrin në mbi 1 milion euro në vit. Në afro 3 vjet dega e Tiranës, si përfaqësuesja e zyrës rajonale, ka amortizuar rreth 30 për qind të numrit të klientëve të saj, që kane shlyer detyrimin.
Ju drejtoni këtë zyrë prej tre vitesh, sa e vështirë është?
Jam ekonomist dhe jurist në profesion, por jam specializuar më pas me disa mastera si dhe doktoruar. Si pjesë e kurrikulës sime të diversifikuar është edhe ajo në fushën e vjeljes dhe trajtimit të detyrimeve të borxhit, të fiskut, të menaxhimit, etj. E gjithë kjo ekspertizë, nuk gjykoj se është vlerësuar në masën e duhur. Gradat shkencore nuk më janë shpërblyer sipas vendimit të qeverisë. Duket e habitshme, por agjencia nuk i njeh këto grada shkencore. Por, kjo nuk është e vetmja arsye e mbylljes së palogjikshme të karrierës. Kjo edhe aspekte të tjera background-it tim qoftë intelektual dhe jo vetëm, do ishin baza për një hap më tej në karrierën time. Të kthehemi tek pyetja juaj, mendoj që eksperienca ime, jo vetëm në punën brenda agjencisë, e bën jo të vështirë ndjekjen dhe trajtimin e të gjitha sfidave që lidhen me objektin e punës.
Kreditë e marra për çfarë janë marrë nga subjektet, si ka qenë sjellja e tyre, janë shmangur nga detyrimet?
Janë disa kategori klientësh, që janë objekt i trajtimeve tona. Nga ato kreditë konsumatore, ato për mjete bujqësore, për biznese, si dhe investime në banesa siç është rasti i dosjeve të INSIG-ut. Arsyet e jetëgjatësisë së këtij institucioni, tregojnë se këto kategori klientësh, që tashmë ndodhen në faza të ndryshme trajtimesh ligjore, kanë bërë dhe bëjnë për fat të keq edhe sot përpjekje për të shmangur detyrimet. Megjithatë ATK-ja dhe zyra e Tiranës në veçanti është e vendosur në mbledhjen e detyrimeve në favor të shtetit. Sepse ky është një borxh që qeveria shqiptare e ka si prioritet për ta minimizuar deri në një mbledhje të plotë të tij. Te gjithë ata që i janë shmangur shlyerjes së detyrimeve ashtu siç parashikon ligji, janë në faza të trajtimit përmbarimor, që është faza e ekzekutimit të detyrueshëm. Pra, mund të them se nuk ka dosje që nuk është aktivizuar dhe nuk është shqyrtuar për ta përcjellë më pas zyrës së Përmbarimit gjyqësor kur është e nevojshme. 
Cila është mënyra e organizimit të zyrës së Tiranës dhe ATK? Sa efektive është kjo mënyrë organizimi në përballimin e sfidave me të cilat ajo ndeshet?
Siç e përmenda më parë, zyra jone mban peshën më të madhe të nivelit të arkëtimin në ATK. Kjo jo se ka numrin më të madh të klientëve që tashmë janë nën trajtim, por për shkak të mënyrës se si ne kemi punuar, nëpërmjet shtrëngimit ligjor dhe presionit pozitiv, kontakteve të përditshme, duke mos lënë pas dore kështu asnjë dosje pa trajtuar. Ne jemi të angazhuar që debitorët të paguajnë paratë që duhet të jenë në arkën e shtetit. ATK është organ shumë i centralizuar. Ajo funksionon me një Këshill Mbikëqyrës, në vartësi të Ministrit të Financave si dhe me një staf drejtuesish në qendër. Në fazën e maturimit në të cilën ka ardhur mbledhja e detyrimit, është i nevojshme një suprimim i strukturave të padobishme në qendër, as nuk kanë kontribut në performancën e punës së ATK. Për mendimin tim, ata nuk e justifikojnë aq sa duhet shkakun e ekzistencës së tyre. Kjo sepse natyra e punës së ATK në thelb është operacionale. Janë zyrat rajonale, megjithëse pa asnjë kompetencë, ato që mbledhin kreditë dhe jo qendra. Në gjykimin e zyrave rajonale, punonjësit në “qendër” megjithëse i kanë përqendruar të gjitha kompetencat, e shpenzojnë kohën jo me zgjidhjen e problemeve, por me diskutime rutinë. Në nivel strukturash, ATK, ka më shumë drejtorë sesa specialistë dhe ekspertë për një institucion të tillë. Megjithatë, problemet ngelen në nivelin e diskutimit dhe zvarriten pa zgjidhje. Kjo bën që edhe pas shumë diskutimesh, problemet ngelen po ato. Këtu kam parasysh ngecjen dhe bllokimin e punës. Vetëm dega e Tiranës ka mbi 150 dosje të aplikimeve në hipotekë që nuk gjejnë zgjidhje. Dhe kjo për shkak të paaftësisë të “qendrës”. Po ashtu, edhe për këtë shkak, kemi bllokimin e dosjeve në degë të caktuara përmbarimore, sikundër është edhe statusi i pazgjidhur i rasteve të shoqërive debitore. Mund të shtoj edhe problemin e mosefektivitetit të administrimit të pronave të sekuestruara prej vitesh në ATK, apo deri në formalizimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me aktmarrëveshje novative, etj. Opsioni që ne sugjerojmë është forcimi i kapaciteteve organizative dhe funksionale të atyre strukturave që janë “lopë me qumësht”, pra që sjellin më shumë para në arkën e shtetit nga trajtimi i kredive. Pra, duhet të forcohen zyrat rajonale, veçanërisht ajo e Tiranës dhe jo dobësimi dhe ulja e nivelit të përfaqësimit të tyre me suprimime. Po konstituohen struktura paralele jointventure të tipit të “Mbikalimit të Zogut të Zi”, si zyra Migrimi Qendrore, me konotacion edhe negative atë ndarjes apo klasifikimit të klientëve si “ardhakë” apo “vendali”. Duhet të theksoj, se kjo eksperiencë është testuar në gjenezë të saj njëherë për dështimin e vet. Kjo rezultoi me kosto dhe jo efektive, si dhe në kundërshtim krahas edhe me statusin e saj si dhe klasifikimin e zyrave. Shfrytëzoj rastin që edhe në dijeni të organeve eprore, atyre përfaqësuese si dhe ministrit është kërkesa jonë për shfuqizimin dhe revokimin e akteve apo urdhrave të tillë suprimues për degën e Tiranës, që është shoqëruar me largime nga puna. Një veprim i tillë, krahas aspektit etik,  moral dhe jo vetëm, është edhe një sinjal për të dekurajuar nivelin e arkëtimeve si dhe stimulimin përshpejtuar të gjendjes së falimentit institucional. Sikundër, mund të përdoret edhe si alibi, për ta përqendruar çdo gjë në qendër dhe mbi këtë bazë, justifikohet krahas edhe mbipopullimi në qendër. Më e dëmtuara nga ristrukturimi në këtë fazë fundviti, është zyra e Tiranës. Kësaj zyre iu ndanë të gjitha degët në varësi, si dhe iu reduktua i gjithë stafi. Nuk dihet akoma se çfarë fati i kanë parashikuar drejtuesit e “qendrës” kësaj zyre, megjithë kontributin që ajo ka dhënë ndër vite.
Strategjia që keni ndjekur ju si zyrë ka sjellë ndryshimin e performancës, sa e vlerësuar është kjo punë?
Ajo varion në vartësi të trajtimit të fazës ligjore në të cilën gjenden klientët. Por ajo që mund të them është së për shkak të përkeqësimit gjithnjë në rritje të portofolit, kjo natyrë pune kërkon njerëzit e vet, që të jenë të përkushtuar. Eshtë një punë delikate, duhet t’i marrësh para, atyre që i kanë borxh shtetit, atyre që nuk i kanë kthyer prej kohësh dhe realisht asnjëri prej tyre nuk vrapon të vijë pas nesh. Siç përmendja më lart, disa specialistëve për fat të keq u është suprimuar vendi i punës, pa dhënë asnjë paralajmërim për strukturën e re. Përkundrazi vlerësime për shkak të kontributit te tyre kanë qenë objekt i përmendjeve dhe vlerësimeve pozitive në axhendat e institucionit tonë, si dhe admirimin maksimal timin për to. Ministri dhe Kryeministri, duhet ta dinë, se njerëzit që kanë lëvizur nga puna, kanë qenë ndër specialistët që kanë dhënë kontribute të njohura dhe shumë të rëndësishme. Personalisht, unë nuk gjykoj aspak guston intelektuale të strukturave vendimmarrëse rreth aspekteve motivuese dhe ato të karrierës.
Ka një vendim të Këshillit të Ministrave, për faljen e interesave të kamatëvonesave, sa ka ndikuar?
Qeveria ka qenë vazhdimisht e interesuar për forcimin e tregut financiar, të konkurrencës, të luftës kundër evazionit dhe marrëdhënieve klienteliste, si prioritet të saj, gjë që kanë gjetur shprehjen e vet dhe në strategjitë e ndjekura nga ana e saj në favor të maksimizimit të këtyre vlerave pasurore e arkëtimeve që shkojnë në thesin e madh të buxhetit të shtetit. Edhe zyra jonë rajonale së bashku me stafin e vet dhe kolegët ka investuar me punën e saj për këtë kontribut të madh. Qeveria në vijimësi ka ndjekur një politikë efektive të menaxhimit të portofolit, atë të joshjes dhe nxitjes me anë të kreditimit të borxhit nëpërmjet faljes së interesave, gjobave, kamatëvonesave, që për VKM aktuale në fuqi, beneficet janë ato të faljes totale të këtyre të fundit deri më 31 dhjetor 2009, për të gjithë kategoritë e klientëve, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar. Edhe njëherë ftohen te gjithë klientët të vrapojnë në zyrat tona rajonale, t’i gëzojnë këto lehtësira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›