“Ndryshimet klimaterike, Shqipëria hapa pozitive”
Njohja e problemeve të ndryshimeve klimaterike, hartimi i politikave të reja në këtë fushë dhe zbatimi me sukses i tyre kanë qenë në qendër të vëmendjes të tryezës së djeshme mbi ndryshimet klimaterike të përfshira në dy raporte. Të pranishëm ishin Gulden Turkuz-Cosslett, Koordinatore e Përhershme e OKB-së dhe Përfaqësuese e përhershme e PNUD dhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Kordinatorja Gulden Turkuz-Cosslett u shpreh se ndryshimet klimaterike përbëjnë çështjet kryesore mjedisore, gjeopolitike dhe ekonomike të shekullit të 21-të. Sipas saj, ajo çfarë është e rëndësishme janë politikat e vendit dhe suksesi në zbatimin e tyre, të cilat do të kenë një rëndësi të madhe në zbutjen dhe marrjen e masave adoptuese, në lidhje me ndryshimin e klimës. “Në Shqipëri, ne jemi dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha në këtë drejtim, duke përfshirë përqasje inovative për energjinë e rinovueshme”, tha koordinatorja. Nga ana tjetër, ministri Mediu në fjalën e tij vuri theksin në faktin që raportet do të ndihmojnë në hartimin më me kujdes të politikave kombëtare. “Komunikimi i Dytë i Shqipërisë në Konventën në Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimaterike” dhe “Dokumenti Shqiptar i Politikave për Financimin e Karbonit”, janë dy raportet të cilat janë hartuar me asistencën e zyrës së PNUD-it në Shqipëri, dhe të financuara nga Fondi Global për Mjedisin dhe Agjencia Austriake për Zhvillim.