E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti, letër drejtueses së fushatës së Obamës

 

Deputeti i LSI-së Dritan Prifti, i shkruan shoqes së klasës së Harvardit dhe mikeshës së tij, Betsy Myers, për situatën absurde të grevës së urisë dhe kufizimit të lirive themelore nga PS-PD. Ai i jep informacion të bollshëm për gjithë Kodin Zgjedhor, për raportet dhe rekomandimet e OSBE, që thonë që PS-PD nuk duhet të kontrollojnë dhe dominojnë komisionet e zgjedhjeve të ardhshme. Ai i shkruan me shqetësim se hapësirat demokratike në Shqipëri po ngushtohen dhe monopolizohen me ligj dhe i kërkon që stafi i Obamës të jetë i informuar se çfarë po ndodh. Betsy Myers ishte drejtuesja e operacioneve të fushatës së Barack Obamës. Ajo drejtonte organizatën Gratë për Obamën. Ajo ka qenë drejtoreshë në Shtëpinë e Bardhë të Klintonit për Iniciativat e Gruas dhe Drejtoreshë e Qendrës për Lidership Publik në Universitetin e Harvardit. Zonja Myers do të jetë një figurë e rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë të Obamës. LSI ditët e fundit ka marrë një fushatë të jashtëzakonshme ndërgjegjësimi të politikës amerikane duke hyrë në zyrat e shumë kongresmenëve dhe senatorëve. Prifti ka komunikuar drejtpërdrejt dhe me zyrën e Senator John Kerry, të cilët kanë kërkuar informacion shtesë për gjendjen në Shqipëri dhe të deputetëve në grevë. Pritet një reagim së shpejti nga zyra e Senator Kerry-t, i cili është kryetari i Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan dhe një figurë që përflitet të jetë sekretari i ardhshëm i Shtetit në USA. Shoqata ndërgjegjësuese e LSI është shtrirë dhe në Evropë. Nxitimi i PS-PD për të kaluar me urgjencë dhe jashtë gjithë procedurave Kodin Zgjedhor në Parlament bëhet dhe për faktin që ato frikësohen nga ndonjë reagim i shpejtë ndërkombëtar që mund të bllokoje kalimin e tij në Kuvend. Eshtë për t'u shënuar që asnjë pjesëtar i faktorit ndërkombëtar deri tani nuk është shprehur kundër qëndrimit të LSI apo në mbrojtje të Kodit Zgjedhor të PS-PD. Faktori ndërkombëtar ka mbajtur qëndrimin e mosndërhyrjes, duke thënë që politika shqiptare duhet të gjejë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Rreziku është i madh që politika shqiptare të dështojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›