Pollo dhe Flamuri diskutojnë për një vëzhgues ters të ODIHR
Flamuri kishte vite pa u takuar me Genc Pollon. Që kur kishte ikur nga PD, e kishte marrë inat. Atëherë nuk njiheshin, se Flamuri nuk kishte këtë detyrë që ka, por rrinte te lulishtja para PD dhe kishte detyrë të mobilizonte njerëz të fërshëllenin kur zbriste ai nga makina. Pastaj iu ngrit dhe në Kuvend Afrim Krasniqit që tentoi të hynte dhe te partia e Pollos, dhe te Këshilli Kombëtar i PD. Që atëherë nuk kishin folur më.
Dje e thirri vetë Pollo. Pas takimit që ai burri kishte pasur me delegacionin e ODIHR, Pollo ishte mërzitur dhe i kërkoi takim.
- Më duket se duan të na rrëzojnë, - tha. - Ai që ka ardhur në krye të delegacionit, është një armik yni i vjetër.
- ǒështë ky? - tha Flamuri.
- Është ai Mitchell, - tha Pollo. - Më kërkuan dhe mua takim dhe jam në siklet, si t’ia bëj. Se e kam sharë dikur publikisht disa herë.
- Po ç’i ke thënë o mixhë?
- Po ja, në zgjedhjet e vitit '96 ky instruktonte vëzhguesit e ODIHR kundër nesh, - tha Pollo.
- Si i instruktonte?
- Po ja, bëri raportin negativ, nuk na quajti fitoren e thellë. Ai burri u nxeh shumë. Më thirri në zyrë, kur ishim në Presidencë dhe më tha: “Duhet ta bësh copë këtë.” ǒt’i bëja unë i shkreti atij? As e njihja fare. Atëherë s’kishim as internet. Pyet e kërko, u copëtova. Më në fund më tha një miku im, një që merrej me një shoqatë britanike për të drejtat e njeriut. Ai më tha se, “me sa di unë, një Mitchell ka qenë ndihmës i kandidatit për president në SHBA, Dukakis, në vitin 1988 kundër presidentit Bush. E kam fjalën për Bushin plak, jo këtë.” Ai më lehtësoi. Tani, ai ishte ky a jo, unë s’e dija, po ia futa në nja dy-tri intervista që lobi grek ka mobilizuar një njeri kundër nesh të na prishë zgjedhjet. Më pyesnin gazetarët, kush është ky. Ai Mitchell, u thosha. Ai ka qenë ndihmës i kandidatit për president, Dukakis, i cili është me origjinë greke. Derisa ai ka ndihmuar një amerikan me origjinë greke të bëhet president, d.m.th., është antishqiptar. Tani shumë vetë nuk e hanin këtë, por unë e thosha disa herë. Qëllimi ishte ta bënim armik e të thoshim që na ka inat. Tani na e paskan gjetur prapë. Kur më thanë që do vijë ai në Shqipëri, më ra pika. Ai burri u bë keq fare. Më thirri njësoj si atëherë. Mbetëm vetëm në zyrë. Më kujtohet njësoj si atëherë. Na mungon vetëm Izeti, se është në burg. Ne të tre ishim dhe atëherë. Më tha: “Na është qepur keq ky Mitchell, si t’ia bëjmë?” - Çfarë t’i bëjmë? - i thashë. “Shiko mos i gjen ndonjë gjë me grekët, - tha, -dhe dil e thuaje, se ti je i besueshëm.”
- Po pse ishe i besueshëm ti?
- Po se mua më mbanin për progrek. Ngaqë është ajo historia e gjyshit që ka qenë komandant i andartëve në Përmet më 1914. Po ajo tre muaj gjë ka qenë. Pastaj ai u bë prapë me shqiptarët. Megjithatë, më ngeli ajo mua dhe më thoshin, kur t’iu biem këtyre, fol ti, se je më i besueshëm. Le ajo kohë iku, po si t’ia bëjmë tani, se na e paskan dërguar prapë?
- Po s’ka gjë, se tani i kemi listat në rregull, - tha Flamuri. - Dhe kartat do t’i bëjmë.
- Po t’i kishim listat dhe kartat në rregull, ishte gjysmë e së keqes, por as ato dhe as vëzhguesit s’i paskemi në rregull.
- Qenka punë dreqi kjo, - tha Flamuri. - Ai burri s’më ka marrë fare në telefon sot. A thua ka prerë gojë nga kjo gjë? Po s’bën burri me u tremb nga një Mitchell mor burrë. Po e teproi, vëmë Aldo Bumçin t’i thotë që të kërkojë falje, pse pengon një vend që të hyjë në NATO dhe BE. Po nuk iu mbyll goja pastaj i nxjerrim Gerti Bogdanin, i themi që origjina e tij familjare dhe krimet e fshehura brenda familjes e bëjnë atë të turpërojë Shqipërinë në sytë e botës. I fut dhe një fjali aty për orgjitë që do ketë bërë ai në shtëpinë e tij në fillim të viteve ‘90 dhe thonë njerëzit qenka shok i Ed Ramës, s’ka rëndësi se ç’thotë.
- Qartë, qartë, - i tha Pollo. - Ti e ke të lehtë, se nuk e njeh. Po si t’ia bëj unë që e njoh dhe s’di ku të futem.
- S’di si të të ndihmoj, - tha Flamuri. - Po t’u desh ndonjë vërtetim që s’ke ardhur akoma në PD, ta jap, më shumë s’të ndihmoj dot.