E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i shkollës “NOBEL”, gjykata vendos: Taçi të dëmshpërblejë stafin e shkollës

Nga Tema

Ashtu siç pritej, në dy seanca gjyqësore të këtyre ditëve të fundit, të ndara nga njëra-tjetra dhe me gjyqtarë të ndryshëm, gjykata vendosi që Rezart Taçi, administrator i shkollës “NOBEL” dhe njëherazi pronar i kompanisë “Taçi Oil” do të duhet të dëmshpërblejë mësuesit dhe drejtuesin e shkollës “NOBEL” respektivisht: mësuesit me 9 paga mujore dhe drejtorin e shkollës me 14 paga mujore, gjithsej me rreth 23 milionë lekë të vjetra.

Ky vendim provoi e vërtetoi veprimet e papërgjegjshme e antiligjore të z. Taçi dhe saktësoi të vërtetat e shkrimeve të gazetës “TemA”, e cila ka ndjekur dhe po ndjek me objektivitet të plotë një nga skandalet unike në llojin e vet, ku një biznesmen i akuzuar nga kryeministri për shkelje ligji keqpërdor shkollën e edukimin dhe tallet me dinjitetin e personalitetin e dhjetëra mësuesve e prindërve, guxon të luajë e të tallet me dhjetëra nxënës, guxon të luajë e të tallet me mundin, djersën dhe bukën e fëmijëve të mësuesve e drejtuesve të kësaj shkolle. Ndoshta është një nga rastet më pa precedent, ku një njeri në dukje i fuqishëm financiarisht, por që rezulton i mbushur në kredi të dyshimta, pa kaluar as edhe një vit nga hapja e një shkolle, e keqpërdor atë për të përfituar në mënyrë të pandershme e abuzive miliona euro.

Z. Taçi, siç kemi trajtuar edhe në shkrimet e mëparshme, ka tërhequr shuma marramendëse nga bankat në emër të shkollës, por, siç ka rezultuar, këto shuma nuk janë përdorur për shkollën, por për interesat e tij personale.

Pra, në Shqipëri, edhe pse u dogjëm nga firmat piramidale, po pranojmë të lulëzojnë Madoff -ët shqiptarë, por me një ndryshim. Madoff në ShBA mashtroi të pasurit, Madoff-ët shqiptarë nuk kursejnë as mësueset dhe fëmijët e tyre, nuk kursejnë as shkollën, këtë tempull të dijes, kulturës e qytetërimit.

Deri tani z. Taçi do të duhet t’iu paguajë 23 milionë leke mësuesve dhe drejtorit të shkollës për dëmin që iu ka krijuar, por kjo është pak, shumë pak. Ai duhet të përgjigjet për kredinë e marrë në bankën NBG, pa marrë firmën e ortakut tjetër, gjë që konsiderohet një vjedhje e pastër e pronës së tjetrit. Ai duhet të përgjigjet penalisht për 280 mijë euro që ka marrë nga llogaria e shkollës (GINES R&J), dhe nuk dihen ku kanë përfunduar, ai duhet të përgjigjet penalisht për mashtrimin me blerjen e shkollës, ku diku deklaron se shkolla është blerë 570.000 euro, diku një milion e ca euro. Ai duhet të përgjigjet penalisht se ku ka shpenzuar pjesën e mbetur të kredisë së marrë nga NBG (rreth një milion euro), pas shlyerjes së kredisë së parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›