Matura Shtetërore, përse duhet dorëzuar Formulari A1 para datës 25 mars
Koeficientët, sa lloje janë dhe për çfarë ju nevojiten. MASH, koeficientët e shkollave të mesme për Universitetin e Tiranës, të vlefshëm për Formularin A2
Jonida Tashi
Koeficientët e shkollave të mesme të Universitetit të Tiranës nuk janë të nevojshëm për plotësimin e Formularit A1, por për atë A2. Ministria e Arsimit pas këtij sqarimi u bën thirrje të gjithë maturantëve të dorëzojnë sa më shpejt pranë drejtorive të shkollave Formularin A1. Maturantët duhet ta kenë dorëzuar këtë formular para datës 25 mars, pasi duhet të fillojë hedhja e të dhënave të tyre në kompjuter. Afati i përcaktuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore për plotësimin e këtij formulari ka përfunduar në datën 10 mars dhe maturantët që nuk e kanë dorëzuar ende Formularin A1 duhet ta dorëzojnë atë brenda këtyre ditëve. Në një nga nenet e Rregullores së Maturës Shtetërore thuhet: “Çdo nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, pavarësisht nëse jep apo jo provimin me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon Formularin A1 në KSHMSH-në e shkollës ku ai mëson brenda datës 10 mars”. Bazuar në këtë rregullore, formularët e plotësuar dërgohen zyrtarisht nga KSHMSH-ja e shkollës në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së brenda datës 25 mars së bashku me fotokopjen e tabelës së regjistrimeve dhe me tabelën e plotësuar përmbledhëse të të dhënave të formularëve. Pas kësaj, KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë kandidatëve, sipas modelit të dërguar nga AVA dhe i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, së bashku me formularët e plotësuar, në AVA, brenda datës 31 mars. Formularët A1, të plotësuar nga nxënësit për të cilët bën fjalë ky nen, dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të nxënësve, brenda datës 5 maj.
Koeficientët
Janë dy lloje koeficientësh për pranimet në shkollat e larta, pesë koeficientët e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientët e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë.
Pesë koeficientët e llojit të shkollës së mesme
Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për dy e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientët e vendosur nga dega e fakultetit respektivisht llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati.
Dy koeficientët e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë:
Çdo degë e shkollës së lartë shpall gjithashtu parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficientëve të tjerë me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këta koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientët e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.
Pse duhen koeficientët
Koeficientët e lëndëve me zgjedhje janë të vlefshëm për plotësimin e Formularit A1, ndërsa koeficientët për llojin e shkollës së mesme janë të nevojshëm për plotësimin e Formularit A2 që duhet dorëzuar në muajin maj. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Arsimit, mospublikimi i këtyre koeficientëve për Universitetin e Tiranës nuk i ka penguar maturantët për plotësimin e Formularit A1. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka propozuar që koeficienti i lëndëve me zgjedhje të jetë i njëjtë për të gjitha shkollat e mesme, përveç Fakultetit të Mjekësisë, i cili i ka përcaktuar koeficientët sipas llojit të shkollave të mesme. Pikërisht për këtë arsye MASH po diskuton me Universitetin e Tiranës për të marrë parasysh propozimin e bërë për këta koeficientë, të cilët, sipas MASH-it, pritet të publikohen së shpejti. Skema e pranimit në shkollën e lartë, pra Matura Shtetërore, ka parasysh edhe larminë e shkollave të mesme dhe programit mësimor të tyre. Zbatimi i këtij sistemi koeficientësh reflekton pikërisht këtë larmi për të zbatuar gjithmonë e më mirë parimin e meritës për të shkuar në shkollën e lartë.
Nëntë lëndët me zgjedhje
Fizikë
Kimi
Biologji
Histori
Gjeografi
Sociologji
Filozofi+Hyrje në Ekonomi
Anglisht
Frëngjisht
10 llojet e shkollave të mesme:
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili i përgjithshëm
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili natyror. (Në këtë grup të përfshihet edhe seksioni dygjuhësh francez në Korçë)
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili Shoqëror (në këtë grup të përfshihen edhe seksionet dygjuhëshe, italian dhe francez, në Tiranë, Shkodër dhe Korçë)
Shkolla Teknike Ekonomike 5-vjeçare
Shkolla Teknike Profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare
Shkolla Social-Kulturore e Gjuhëve të Huaja
Shkolla Social-Kulturore Artistike dhe Sportive
Shkolla Social-Kulturore Pedagogjike (4-vjeçare)
Shkolla e Mesme e Përgjithshme me Kohë të Shkurtuar
Shkolla Teknike-Profesionale me Kohë të Shkurtuar, që kanë dhënë provimet e Maturës Shtetërore
Rregullorja e Maturës Shtetërore
Procedurat e aplikimit për provimet e maturës
Formulari A2
Neni 21
MASH miraton deri më datën 1 prill:
Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë)
Udhëzuesin e Formularit A2
Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe Formularin A2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH.
Maturantët e vitit shkollor 2005-2006 që duan të vazhdojnë studimet e larta
Neni 23
Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006 kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet
në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme.
Në KMSH të DAR-it apo ZA-së, ku ka figuruar shkolla e mesme, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin në këtë KMSH dokumentet e mëposhtme:
1. Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza).
2. Kopje të noterizuara të dëftesës së pjekurisë.
3. Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuara, (pasaportë) ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit.
4. Kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje
KMSH i DAR-it apo ZA-së cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë Formularët A1 dhe A2 dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së përcakton për këta nxënës, në bazë të dokumenteve të paraqitura, notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës ku i cakton.
Maturantët e vitit shkollor 2005-2006 që nuk kanë marrë Dëftesë Pjekurie
Neni 24
Çdo nxënës që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë Dëftesën e Pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Ai plotëson dhe dorëzon Formularin A1 në shkollën ku e cakton KMSH i DAR-it dhe ZA-së përkatëse, pasi ka paraqitur tek ato dokumentet e mëposhtme:
1. Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza).
2. Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar, (pasaportë) ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit.
3. Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve.
12 Mars 2008