Telashe me demokracinë

Kthimi i protestave, tankeve dhe vrasjeve në rrugët e Kajros është një gjë tmerruese. E gjithashtu tmerruese është edhe fuqia e teorive të konspiracionit, të cilët po shtyjnë pjesëtarët e Vëllazërisë Myslimane dhe kundërshtarët e tyre sekularë që të besojnë sinqerisht se janë duke e mbrojtur revolucionin në Egjipt. Ë të dy palët po sillen në mënyrë jonormale.
Kritikat ndaj presidentit Mohammed Morsi, për shkak të luftës së panevojshme për pushtet dhe proceseve të ngutura kushtetuese janë legjitime. Gjithashtu janë legjitime edhe ankesat se opozita sekulare e vendit është e organizuar shumë dobët, se i mungon përkrahja e shumicës dhe se po refuzon kompromisin.
Me sa duket, eksperimenti i Egjiptit me demokraci po shkon kah dështimi.
Kushtetuta kundërthënëse e vendit me gjasë do të ratifikohet në referendumin, i cili pritet të zhvillohet më 15 dhjetor. Opozita e frustruar do të bojkotojë zgjedhjet parlamentare që do të pasojnë. Morsi do të kryesojë një “qeveri të butë autoritare”, të ngjashme me atë të ish-presidentit të përmbysur, Hosni Mubarak.
Partitë e vogla opozitare do të ekzistojnë, por dominimi i Vëllazërisë Myslimane në shtet, politikë dhe shoqëri nuk do të vihet në asnjë moment në dyshim.
Zyrtarët amerikanë, të interesuar për stabilitet në Lindjen e Mesme, do të mbyllin sytë dhe do të vendosin marrëdhënie pune me Morsin.
“Mendoj se impulsi i pjesës më të madhe të administrave amerikane është që të shfaqen në një shtet arab dhe të thonë, ‘Dërgomëni te udhëheqësi juaj’”, thotë Nathan Brown, profesor në Universitetin George Washington dhe ekspert për Egjiptin. “Nuk mendoj se kemi alternativa të shumta. SHBA- ja nuk është në pozitë që të mbështetë një puç ushtarak apo opozitën”, shton ai.
Brown ka të drejtë. Po, SHBA-ja ka ca elemente ekonomike për të ushtruar ndikim në Kajro, por marrë në përgjithësi, Amerika mbetet “radioaktive” në Egjiptin pas Mubarakut. Pas 40 viteve të mbështetjes së SHBA-së për Mubarakun, i cili bëri paqe me Izraelin, mosbesimi ndaj Amerikës në Egjipt është i madh.
Në shtator, një anketë e Gallupit dëshmoi se 82 për qind e egjiptianëve nuk dëshirojnë që vendi i tyre të marrë ndihma ekonomike nga SHBA-ja. Për dallim, 42 për qind e egjiptianëve të anketuar theksuan se kundërshtojnë marrëveshjen paqësore të vendit të tyre me Izraelin.
Puçi ushtarak i mbështetur nga SHBA-ja, e që Amerika do ta kishte vështirë ta organizonte, do të radikalizonte islamistët në tërë rajonin dhe do të iashte një dhuratë e madhe për Al Qaeden. Ngjashëm, nëse Washingtoni do të mbështeste haptazi opozitën sekulare, zyrtarët e opozitës do të shiheshin si kukulla të SHBA-së dhe do të humbnin mbështetjen popullore.
“Një strategji shumë më efektive për SHBA-në do të ishte që të kërkoi dialog prapa dyerve të mbyllura mes qeverisë së Morsit dhe opozitës”, theksoi Dalia Mohahed, i cili e udhëhoqi anketimin e Gallupit. “Mbështetja publike e SHBA-së për opozitën do të përdorej kundër saj”, shtoi Mohahed.
Fija e vetme e vogël e shpresës është se telashet me të cilat po përballet Egjipti nuk janë të paprecedent. Edhe shtetet tjera janë përballur me tranzicione të rrëmujshme.
Thomas Carothers, ekspert për tranzicionin drejtë demokracisë në Carnegie Endowment for International Peace, thotë se ajo që po ndodhë sot në Egjipt është tipike për rastet kur grupet e margjinalizuara për një kohë të gjatë e marrin pushtetin.
Carothers thotë se beteja e Egjiptit është e ngjashme me tranzicionin e vështirë, i cili ende po vazhdon në Bolivi.
Për tu stabilizuar situata, duhet të bëhen përpjekje për më shumë, e jo më pak demokraci në Egjipt. Po, kushtetuta kundërthënëse me gjasë do të ratifikohet më 15 dhjetor. Por opozita nuk duhet të bojkotojë referendumin apo zgjedhjet parlamentare që mund të pasojë. Sipas Brownit, në rastin e skenarit më të mirë, rreth 30 për qind të egjiptianëve do të mund të votonin kundër kushtetutës. Më pas, opozita do të mund të garonte në zgjedhjet parlamentare.
Ajo nuk do të fiton shumicën, por ndoshta do të fitojë ulëse të mjaftueshme për të qenë një opozitë e fuqishme kundrejt Vëllazërisë Myslimane. Dy grupet, e armiqësuara mes vete, do të detyroheshin të uleshin së bashku në parlament. Koha dhe dëshira për të fituar zgjedhjet ndoshta do t’i bindin palët që të arrijnë kompromise dhe të shpëtojnë kështu demokracinë në Egjipt.