Krejt si yje!

Artistë të shumtë kanë kaluar nëpër qilimin e kuq mbrëmë gjatë natës së Videofestit Muzikor, i nënti më radhë, i cili sivjet ka ardhur me moton “Dashuri”.
Kështu për një natë ky organizim mëton t’i bëjë të gjithë artistët shqiptarë të ndihen si yje, duke i shpërblyer ata për punën që bëjnë brenda një viti. Paraqitjet në tepihun e kuq të artistëve janë shoqëruar edhe me poza e intervista për media.
Dhe kur të gjithë zunë vendet e tyre, filloi zyrtarisht edhe ceremonia. Moderatorët Mentor Haziri dhe Yllka Kuqi janë kujdesur me programin e tyre që publiku të mos mërzitet shumë. Janë paraqitur pika muzikore, humor therës, balet, e një copë Sicilie e solli tenori Ramë Lahaj. Paralel me programin artistik, të përgatitur për këtë Videofest, janë shfaqur në skenë figura eminente për të dhënë çmimet. Dhe nuk kanë qenë të pakta.
Duket sikur këngëtarët aq shumë janë tronditur gjatë marrjes së çmimeve, sa që kanë harruar t’i shfaqin ca emocione origjinale. Nuk kanë munguar as përshëndetjet për mamin, tezen, gjyshen etj.
Kështu pak a shumë ka kaluar edhe ky Videofest, e vitin tjetër organizatorët Erolld Belegu e Linda Shala kanë plane më të mëdha. Por, ne nuk do t’i zbulojmë ato. Dihet vetëm se do jetë Videofesti i dhjetë me radhë, pra jubilar. Për tjerat do shihemi pas një viti.
Genc Salihu e kishte gjetur rrugën deri të çmimet, me këngën ‘Rrugëve’, duke dominuar me katër çmime në Videofest.
Anëtari i rock grupit “Mak”, Haki Misini është nderuar post-mortum me çmimin për karrierë jetësore. Në vazhdim radhiten fituesit.
Çmimet:
Videospoti më i mirë i zhanrit hip-hop: Tingulli 3nt ft. Flori- “Ani, ani syn”
Videospoti më i mirë në konkurrencën artisti i ri më i mirë- Dafina Rexhepi ft. MC Kresha- “Delicious”
Videospoti më i mirë në konkurrencën R&B- Dafina Zeqiri ft. Ledri- “Ti po m’ pëlqen”
Videospoti më i mirë i zhanrit rok- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti më i mirë në konkurrencën grupi më i mirë- Blla, blla, blla- “Kujt i bie”
Videospoti me ‘styling’ më të mirë- Dafina Zeqiri ft. Ledri- “Ti po m’ pëlqen”
Videospoti me regjinë më të mirë- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti më i mirë i zhanrit pop-folk- Albërie Hadërgjonaj- “Kur nuk shkon, nuk shkon”
Videospoti më i mirë në duet- Rezarta Shkurta ft. Vedat Ademi- “Dua të iki larg”
Videospoti me performancën më të mirë- Besa Kokëdhima- “Kalorësi i natës”
Çmimi i karrierës- Haki Misini
Çmimi i organizatorit- TDS ft. Nora Istrefi- “Ka je”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e meshkujve- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti më i mirë i zhanrit pop- Rezarta Shkurta ft. Vedat Ademi- “Dua të iki larg”
Çmimi YouTube – Aurela Gaçe ft. Dr Flori & Marsel- “Origjinale”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e femrave- Argjentina Ramosaj- “Perfekt”
Videospoti më i mirë- Genc Salihu- “Rrugëve”