Sot, beteja mes mazhorancës dhe opozitës për Prokurorinë
Komisioni Parlamentar i Ligjeve, pritet të mblidhet sot për të marrë në shqyrtim projektligjin për organizimin e Prokurorisë. Pas dështimit të mbledhjes së ditës së mërkurë, pasi Komisioni i Ligjeve nuk mundi dot të mbledhë kuorumin e tij, kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, ka kërkuar që kjo mbledhje të zhvillohet ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit. Mbledhja e Komisionit të Ligjeve pritet të jetë një takim maratonë, pasi mazhoranca kërkon që brenda ditës të miratohet projektligji me 33 nene. Nga burime pranë Kuvendit, bëhet e ditur se ky projektligj duhet të miratohet brenda kësaj jave, për t‘iu paraqitur për votim seancës së fundit të këtij sesioni ditën e hënë. Opozita është shprehur kundër këtij nxitimi të mazhorancës, duke theksuar se një ligj kaq i rëndësishëm që ka bëjë me reformimin e institucionit të akuzës nuk duhet të kalohet me kaq urgjencë. Sipas tyre, duhet t‘u jepet koha e duhur të gjithë grupeve të interesit për të thënë fjalën e tyre për nene të veçanta të projektligjit dhe më pas të diskutohet konkretisht në komision, i cili pasi arrihet konsensusi mes palëve kalon për votim në Kuvend. Projektligji, vjen si pjesë e paketës së reformës në drejtësi dhe është një nga më të rëndësishmit e saj. Por ky projektligj i paraqitur nga qeveria, ka krijuar një përplasje institucionale mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, pasi me ketë draft qeveria e kalon organin e akuzës në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Vendim, ky që është kundërshtuar nga organi i akuzës, por deri më tani zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Por, se si do të jetë varianti përfundimtar i këtij drafti të paraqitur nga qeveria kjo mbetet për t‘u parë dhe për t‘u ndjekur gjatë diskutimit që do t‘i bëhet nen për nen në Komisionin e Ligjeve.