E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtimi i përbashkët i Pashkëve dhe ritet e Javës së Madhe

24-04-2011 / Gazeta 55

E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në këtë Natë të Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrinë zgjuar në uratë. Në këtë Natë të Shenjtë, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në Sakramente; Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të në Hyjin Atë. Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishterimit, është qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar.
Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit. E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në disa pjesë, rite e simbole, që shprehin e kumtojnë mesazhin qendror të Natës së Pashkëve, e cila quhet dhe konsiderohet me të drejtë si “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”, mesazhin e fitores së Jezu Krishtit mbi vdekje, mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.
24 prill 2011: Katolikë e Ortodoksë i kremtojnë njëherësh Pashkët/Dita e Pashkëve ortodokse nuk përkon me atë të Pashkëve katolike, sepse Kisha ortodokse ndjek kalendarin julian, jo atë gregorian. E megjithatë, nganjëherë Pashkët bien në të njëjtën ditë. Si sivjet. Pashkët ortodokse bien të dielën, që vjen pas hënës së re të ekuinoksit pranveror. Për Kishën ortodokse është festa më e rëndësishme. Kremtohet në familje ose me miq, ndërsa gjatë gjithë Javës së Madhe ndiqen kremtime të veçanta, në përkim me ngjarjet e Ungjillit. Në Greqi, të Shtunën e Madhe kremtohet procesioni, pastaj Mesha e mesnatës, gjatë së cilës popi troket tri herë në portën e madhe të kishës dhe kumton Ringjalljen e Krishtit. Këndohet himni i Ringjalljes e në Kishë përhapen gjethe dafine. Besimtarët mbajnë në duar qirinj, të cilët duhet t’i çojnë ashtu, të ndezur, deri në shtëpi. E Diela e Pashkëve kremtohet me drekën, që hahet në familje: zakonisht në kopsht ose në ndonjë livadh. Në mes të blerimit hahet qengji i pjekur i së kremtes së madhe, këndohet e vallëzohet. Në Shqipëri e në Kosovë hahen edhe vezë të ngjyera me të kuqe, pasi festuesit i pikin me njëra- tjetrën, duke shqiptuar fjalë rituale, që veza të mos thyhet. Bëhet, kështu, simbol i forcës, i shëndetit, deri në Pashkët e ardhshme. Folja shqipe ‘me pikë’, është sigurisht një nga më të përdorurat në fjalorin e festës.Në ish-vendet sovjetike, të Premten e Madhe shkohet në Kishë, ku bekohet ëmbëlsira tipike e Pashkëve, që quhet Pashk (në Shqipëri, perpeqi bekohet të Shtunën e Madhe). Pashk e sovjetikëve i ngjet panetones së botës perëndimore, por pa rrush të thatë. Ndërsa perpeqi i katolikëve nuk është ëmbëlsirë. Është qumështuar me kripë, që i ngjet më shumë picës e që hahet në agimin e festës, nga familjarët, mbledhur rreth sofrës, ku janë vendosur edhe vezë të ziera e hudhra të njoma. Hahet në këmbë, si Natën e Pashkëve të Besëlidhjes së Vjetër!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›