E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenar për Krenarin

Arian ÇANI 

Duhet mbrojtur fort Krenar Ahmeti. Tani është momenti ndoshta më i vështirë i karrierës së tij si oficer policie me një përvojë të suksesshme dhe me një barrë diplomash mbi kokë. Të ligjtë dhe  antishtetarët, por dhe njerëz të veshur abuzivisht me kostumin e drejtësisë, duan ta kryqëzojnë njeriun e ligjit dhe diçka kanë arritur. Gjykata e Faktit vendosi pak ditë më parë pezullimin e tij nga detyra si shef i Qarkullimit Rrugor të Tiranës. Mbetet Apeli dhe Gjykata e Lartë. Me përjashtim të disa prokurorëve dhe avokatëve, që për arsye të kuptueshme korporative, janë rreshtuar në anën e çiftit që akuzon Krenar Ahmetin, opinioni publik dhe ai qytetar është me Krenarin në këtë betejë dhe do të bëjë gjithçka që ligji dhe rregulli të fitojnë në këtë qytet.

Shumëkush e di për çfarë bëhet fjalë, por zanati më detyron të rikujtoj shkurtimisht detajet e këtij konflikti, që në thelb ka një palë që kërkon të zbatojë ligjin dhe një tjetër që kërkon ta thyejë atë. E para përfaqësohet nga Krenar Ahmeti, shefi i Qarkullimit të Tiranës, ndërsa e dyta nga ajo, prokurore e Krimeve të Rënda dhe ai, avokat. Gjithçka ka nisur si rezultat i një debati të bërë mes një zonje me detyrë prokurore dhe një polici të qarkullimit, që bënte detyrën si çdo ditë nëpër rrugët e Tiranës. Prokurorja pretendon se polici e fyeu. Polici thotë se nuk ka fyer askënd dhe se ka bërë detyrën. Ishte një kontroll rutinë dhe për më tepër, prokurorja nuk ishte në timon. Thërret bashkëshortin e saj për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Bashkëshorti me profesion avokat e bën policin e qarkullimit për një lek, duke e fyer dhe shantazhuar njëkohësisht. Në këtë betejë m’u në mes të bulevardit të Tiranës, bashkëshorti i prokurores i sulet dhe shefit të Qarkullit, Krenar Ahmetit, i cili mbërrin në vendngjarje… Bashkëshorti shoqërohet në polici, e shoqja, prokurorja e Krimeve të Rënda, preferon të shkojë dhe ajo në polici me të shoqin, duke hipur në makinën e patrullës blu. Padia e prokurores së Krimeve të Rënda depozitohet në gjykatë ndaj Krenar Ahmetit. Një gjyqtar merr vendim në favor të prokurores dhe vendos pezullimin e Krenarit.
Turp i madh për këtë qytet. Turp të kërkosh dhe të tentosh kryqëzimin e një njeriu që për herë të parë në këto 18 vjet arriti në 9 muaj, së bashku me ekipin e tij të rregullojë dhe sistemojë shumëçka në këtë rrëmujë. Me dhjetëra makina e motorë të bllokuar, me miliona lekë gjobë të mbledhura për llogari të shtetit, por dhe me mijëra shoferë të ndërgjegjësuar se makinën nuk mund ta parkonin kudo dhe se pa rrip e ke jetën në rrezik. Ky është me pak fjalë bilanci i parë i Krenar Ahmetit në krye të qarkullimit në Tiranë dhe për hir të së vërtetës nuk është se ka kaluar pa u vënë re. Me dhjetëra të pakënaqur, duke filluar nga unë i pari, që për hir të së vërtetës nuk është se më ka pëlqyer shumë të parkoj sipas rregullave apo të ecja me rrip në çdo çast. Por ja që stili i ri i Krenar Ahmetit dhe ekipit të tij, më bëri të ndryshoj…

Tani të gjithë bashkë e konstatojmë ndryshimin. Nuk ka më makina që bllokojnë hyrjen dhe daljen e rrugëve në blloqet e banesave. Nuk ka më parkime dopio fila e të papërgjegjshmëve që na bllokonin me orë të tëra. Tani vjen karrotreci dhe ta merr makinën keqbërëse për dy minuta. Tani ke frikë në qytet të abuzosh me rrugën dhe parimi se rruga nuk është jotja, por e të gjithëve, ka nisur të funksionojë. Tani numri i viktimave të rrugës është kufizuar ndjeshëm dhe kjo është një arritje e madhe. Tani nuk mund të thyesh rregullat e trafikut edhe nëse je avokat, prokuror, gjykatës apo politikan. Tani je i barabartë me të gjithë. Ja sepse duhet mbështetur Krenari i Qarkullimit, të cilin, një prokurore e Krimeve të Rënda me bashkëshortin e saj avokat, kërkojnë ta pezullojë nga detyra. Duhet ndaluar me çdo kusht që kjo të ndodhë. Ndryshe pushteti që abuzon, do të dominojë mbi shtetin dhe ligjin. Duke mbrojtur Krenarin, ne nuk mbrojmë individin, por ligjin. Vetëm kështu në këtë vend, ligjin nuk do ta bëjnë më njerëz të egër, gjysmë të egër dhe të veshur me pushtet...

(ariancani@gmail.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›