E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sollaku: Presidenti nuk duhet të krijojë sherre

Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, në një intervistë për “Vizion Plus”, i tërheq vëmendjen Presidentit se për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë duhej të ishte konsultuar me Kuvendin. 

Duke analizuar faktorët në këtë debat politik, Sollaku shprehet se roli i Presidentit nuk është të ndezë sherre, por të shuaj sherret në politikë dhe për këtë kërkohet një reflektim nga të gjithë faktorët. 
Dekretet e Presidentit Topi kanë ngjallur mjaft debate mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit. Si e shikoni ju këtë debat?
Unë mendoj se, pavarësisht debateve të mëdha që kanë përfshirë këtë procedurë, çështja do të zgjidhet, se kjo është një rrugë pa kthim. Po të analizojmë se çfarë ka ndodhur, shohim që presidenti ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese. Pas këtij momenti, personat e dekretuar nga Presidenti i Republikës do të mund të marrin postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Shohim që ka disa debate. Unë mendoj se në rrafshin formalo-juridik, Presidenti është në rregull dhe i takon Parlamentit të ushtrojë kompetencat e tij. Kryetarja e Kuvendit duhet t’ia kalojë komisioneve, tashmë kjo mesa duket ka kaluar, komisionet do paraqesin opinionin e tyre në seancë plenare dhe është seanca plenare ajo që me votë të fshehtë do të japë ose jo pëlqimin për këto persona. Nëse nuk e jep, Presidenti ka të drejtë të propozojë një emër tjetër.
Si anëtar i grupit të hartimit të Kushtetutës, si e shikoni pozicionin e Parlamentit nga njëra anë dhe të Presidentit nga ana tjetër në gjithë këtë histori konfliktuale President-Kuvend?
Thashë që Presidenti në rrafshin juridiko-formal është plotësisht në rregull, ndërkohë puna ka çaluar në procedurat parlamentare. Shpresoj që kjo të kalojë shumë shpejt. Por duhet të kemi parasysh që emërtesa e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është thjesht një emërim formal, por ka nëntekste të forta politike dhe institucionale. Dhe unë mendoj se në këtë pikë duhej të ishte vepruar pak më ndryshe. Është e vërtetë se Kushtetuta jonë nuk shkruan si duhet të veprojë presidenti, por kemi parasysh se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit, unitet që shfaqet në detyrimet e tij. Kur ushtron një detyrë, Presidenti duhet të ketë parasysh që të ruajë disa balanca politike dhe institucionale. Natyrisht sot ne kemi traditë që Presidenti i Republikës para se të bëjë emërtesa që kanë nevojë të merret pëlqimi i Kuvendit, kanë zhvilluar procese konsultimi. Është tjetër problem sa i kanë marrë në konsideratë, por të paktën ky moment duhet bërë. Dhe mendoj se Presidenti duhet ta kishte zhvilluar këtë proces. Ndoshta ai e ka zhvilluar dhe opinioni nuk di gjë, por gjithsesi mendoj se derisa zhvillohet ky debat, ka diçka që nuk shkon. Duhet pasur parasysh që Presidenti i Republikës nuk është një drejtor kuadri që emëron njerëzit në punë. Ai është një figurë e rëndësishme, që duhet të ruajë këto balanca për funksionimin e shtetit shqiptar.
Çfarë duhet të ndryshojë në funksionimin e Parlamentit dhe Presidentit të Republikës?
Unë mendoj se tradita shqiptare në funksionimin e demokracisë kushtetuese është e pakët, po të kemi parasysh kohën kur është miratuar Kushtetuta, në 1998. Mendoj se duhet pasur parasysh që për të eliminuar situata të tilla të padëshirueshme dhe debate të panevojshme, e rëndësishme është të ndërmerren dy hapa të rëndësishëm; së pari, duhet bërë ligji për funksionimin e institucionit të Presidentit. Ky është një detyrim që buron nga neni 6 i Kushtetutës. Sot të gjitha institucionet kushtetuese kanë ligjin e tyre, përjashto Presidentin dhe kjo ka ndodhur për shkak të situatave dhe konjukturave politike në marrëdhëniet mes Presidentit dhe maxhorancave në një moment të caktuar dhe mesa duket ky ka qenë shkaku që e kanë lënë këtë ligj të pamiratuar. Së dyti, është shumë e nevojshme që Parlamenti duhet të plotësojë rregulloren e funksionimit të tij. Kemi parasysh që Kushtetuta solli një risi në vendosjen e termit “pëlqim” në dallim nga tradita e mëparshme, kur ishim mësuar me termin “miratim”. Kjo nuk u bë pa qëllim. Është një huazim nga praktika amerikane, ku me procesin e pëlqimit u pa parasysh procesi i dëgjimit, që do të thotë që Parlamenti kur jep pëlqimin nuk është në një situatë formale, por ai ka një rol aktiv në marrjen e një vendimi sa më të drejtë. Sipas kësaj, Parlamenti ka të drejtë që kandidatët që do emërohen në poste për të cilat ai jep pëlqimin, duhet t’i nënshtrohen një procesi dëgjimi, që do të thotë, Kuvendi apo strukturat e tij duhet të pyesin kandidatin që nga origjina, formimi i tij, për të arritur në një gjykim të qartë nëse e meriton personi atë post apo jo. Faktikisht tek ne sot veprohet nga Kuvendi edhe pa i njohur si fytyrë kandidatët për të cilët voton, duke u nisur nga vendimi i marrë nga kryesia e partisë. Mendoj se është shumë e domosdoshme vendosja e një procedure të qartë për të vendosur transparencë edhe në punën e Kuvendit. Ndërsa Presidenti ka nevojë të reflektojë në mënyrën e sjelljes së tij, sepse nëse do ta përkufizoja institucionin e Presidentit, detyra kryesore e tij në një republikë parlamentare është të shuajë sherret që mund të ndodhin në shtet dhe jo të krijojë sherre. Natyrisht sherret mund të krijohen jo për faj të Presidentit, por gjithsesi, Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë burimi i sherreve dhe konflikteve në vend. Unë mendoj se është një moment ku ka vend të reflektojnë të gjithë.
Marrë me shkurtime nga “Vizion Plus”

Xhafaj: Maxhoranca po mban peng gjyqësorin

Partia Socialiste denoncoi maxhorancën se po bllokon funksionimin e sistemit gjyqësor. Sipas selisë rozë, “dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë po bllokojnë veprimtarinë normale të këtij institucioni”. Gjatë një konference për shtyp, sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, deklaroi dje se, “maxhoranca ka marrë peng gjyqësorin shqiptar, në përpjekjen për ta vendosur nën kontrollin e saj politik”. “Nga 17 gjyqtarë që ka kjo Gjykatë, tha Xhafaj, sot i mungojnë 7 prej tyre, duke shtuar se ky institucion është pa drejtim administrativ për shkak të mungesës së kryetarit dhe zëvendësit të autorizuar prej tij”. Sekretari Xhafaj tha se, “është e drejta e Kuvendit të debatojë rreth kandidaturave, duke vendosur vetëm me votim të fshehtë për dekretet”. “Duke kërkuar futjen urgjent në rendin e ditës të dekreteve presidencialë, Partia Socialiste as nuk shprehet për cilësinë e votës së saj dhe as nuk bëhet palë e konfliktit absurd të krijuar ndërmjet lidershipit politik të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ me Presidentin e Republikës, pushtete e funksione kushtetuese, të cilat kanë buruar nga vetë PD-ja”, tha Xhafaj.                         a.l.

Dekretet, Beja: S'mund të votohet raporti

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, hedh poshtë mundësinë që në seancën parlamentare deputetët të votojnë raportin e komisionit të Ligjeve për pesë dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Në një prononcim për mediat, Beja e quan absurditet faktin se mund të votohet raporti i komisionit për këtë çështje, duke thënë se, raporti është standard si për të gjitha ligjet e tjera. "Nuk mund të votohet një raport dhe ky është një absurditet që është futur në qarkullim. Është një raport standard që vjen nga komisioni në seancë siç vihet gjithmonë për kandidatura apo për ligje. Vihet mendimi i shumicës dhe mendimi i pakicës së deputetëve në atë komision", theksoi dje kreu i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja. I pyetur për pesë dekretet e firmosura nga kreu i shtetit, Beja shtoi se, njëri prej tyre, pikërisht Zamir Poda, ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë dhe në Kushtetutë parashikohet që një anëtar i kësaj gjykate nuk mund të riemërohet në këtë post. Poda ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 1998 dhe sipas Presidencës, ky rast justifikohet me faktin se në kohën që Poda ka mbajtur këtë post, vendi nuk ka pasur Kushtetutë, ligji themeltar, që sanksionon pikërisht faktin për t'u emëruar vetëm një herë. Në këtë mënyrë rruga e vetme e maxhorancës për të hedhur poshtë dekretet e kreut të shtetit, gjithmonë nëse do t'i qëndrojë deri në fund pretendimeve të saj për këtë çështje, është ajo me votim të fshehtë. Pesë dekretet e kreut të shtetit pritet të shërbejnë edhe si provë për të parë se cila është realisht mbështetja që Topi ka në grupin parlamentar të PD-së. Ditët e fundit burime në PD-së thanë se, ekziston edhe varianti që Kuvendi, për të shmangur votimin e fshehtë të votojë pikërisht raportin, por kjo hidhet poshtë pikërisht nga kreu i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›