E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Policisë Elbasan e Vlorë këmbejnë vendet

TIRANE- Ndryshimet në radhët e Policisë së Shtetit, prekin strukturat drejtuese të saj. Kreu i policisë së Qarkut të Elbasanit, Aleks Hajdari, dhe ai i qarkut të Vlorës, Vehbi Bushati, kanë këmbyer vendet me njëri- tjetrin. Kështu sipas urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që ende nuk është ekzekutuar, Drejtues i Parë Vehbi Bushati, drejtori aktual i Policisë së Qarkut të Vlorës, është transferuar në të njëjtin funksion në qarkun e Elbasanit, duke zëvendësuar Aleks Hajdarin. Ky i fundit ka zënë vendin e Bushatit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës.

Hajdari është transferuar në qarkun e Vlorës pas më tepër se një viti e gjysmë pune në krye të qarkut të Elbasanit, ku zëvendësoi një ish- drejtues me rezultate në këtë qark, Arben Hysenin. Në të kundërt, Bushati në qarkun e Vlorës ka më tepër se dy vite, kohë gjatë së cilës ai është vlerësuar pozitivisht për punën e tij në këtë njësi vendore të policisë, nga eprorët e tij. Një tjetër ndryshim, i firmosur nga Prençi, është komandimi i shefit të Zyrës së Hetimit të Trafiqeve të Policisë së Shtetit, Drejtues Adrian Çipa në funksionin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut të Vlorës.

Po kështu shefi i komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe është transferuar në detyrën e Drejtorit të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Vlorë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›