Krerët e lartë të shtetit, urojnë besimtarët për Krishtlindje
Krerët e lartë të shtetit e politikes përcollën dje mesazhe e urime për të gjithë besimtarët shqiptarë, kudo ku ndodhen, me rastin e Krishtlindjes.
Presidenti i Republikës Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli uruan dje besimtarët për këtë festë të madhe.
Ata përcollën tek besimtarët shqiptarë mesazhin për paqe, harmoni e tolerancë, që sipas tyre duhet të mëshirohen edhe në politikë.
Kryeministri Sali Berisha
“Krishtlindjet i festojmë më afër se kurrë në projektet tona të mëdha të integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian”
Kryeministri i vendit, Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshorjtja e tij Liri Bersiha, ka zhvilluar ditën e djeshme një vizitë në kishën Ortodokase Autoqefale të Shqipërisë ku u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Kryeministri Berisha u përcolli besimtarëve shqiptarë në tërësi urimet më të përzemërta në këtë ditë të bekuar të lindjes së shpresës dhe adhurimit. Në urimin e tij Berish u shpreh se “Është rasti për t`u përcjellë besimtarëve katolikë, ortodoksë dhe të krishterë, besimtarëve shqiptarë në tërësi urimet më të përzemërta për këtë ditë të bekuar, për këtë ditë që lindi Krishti, simboli i përjetësisë, shpresës dhe adhurimit, i motivimit të njeriut, i përkushtimit për të mirën, për të ardhmen”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur tek besimet fetare, kryeministri cilësoi se “ato janë gurrat e mëdha që ushqejnë shpirtin e këtij kombi”.
“Kombi ka qenë fatlum që ushqehet nga këto besime dhe ka dëshmuar para vetes dhe botës dimensionin madhështor të shpirtit të tij që shprehet me tolerancën e shkëlqyer fetare”, tha kryeministri.
Duke kujtuar gëzimin që solli për të gjithë shqiptarët pavarësia e Kosovës dhe përmbushja e aspiratave për anëtarësim të plotë në NATO dhe BE, kryeministri u shpreh se “ne, i kremtojmë Krishtlindjet më të lirë se kurrë, i kremtojmë ato me dinjitet më të madh se kurrë, Kosova u bë e pavarur dhe kemi 1 000 arsye të falenderojmë Zotin për këto Krishtlindje, sepse i festojmë më afër se kurrë në projektet tona të mëdha të integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian”.
Kryeministri Berisha u ndal edhe tek rritja ekonomikee vendit, që vitet e fundit ka qenë e ndjeshme për të gjithë shqipatërët, duke theksuar se “i festojmë këto Krishtlindje me një rritje ekonomike dyshifrore, e cila në vetvete përfaqëson në realitet levën e Arkimedit për zhvillimin e shpejtë të këtij vendi, përfaqëson kushtin më të madh, rrethanat më pozitive që rinia shqiptare t`i përkushtojë energjitë, gjenitë e veta krijuese, këtij vendi dhe të mos ketë nevojë të largohet në vende të tjera”.
Duke falënderuar Zotin në këtë ditë të madhe për të gjitha këto mirësi që kombi pati gjatë këtij viti, kryeministri Berisha e mbylli urimin e tij me shpresën se viti tjetër do ta gjejë Shqipërinë dhe shqiptarët edhe më mirë.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli
“Krishtlindjet e kanë gjetur Shqipërinë dhe
shqiptarët në vitin e tyre më të bukur”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga qyteti i Shkodrës ka uruar ditën e djeshmë të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve. Topalli tha se “Krishtlindjet e kanë gjetur Shkodrën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në vitin e tyre më të bukur”. Urimet për besimtarët e krishterë, Kryetarja e Kuvendit i përcolli në Selinë e Arqipshkëvisë, ku u prit nga Aripeshkvi Anxhelo Massafra dhe Monsignor Zef Simoni, një nga priftërinjtë më të njohur të klerit katolik, simbol i qëndresës dhe i një kalvari të gjatë persekutimi të diktaturës.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi misionin e tyre human në përcjelljen e vlerave më të mira të civilizimit dhe kulturës kombëtare për të gjithë shqiptarët veçanërisht brezat e rinj. Në takimin që Kryetarja e Kuvendit zhvilloi me arqipeshkvët e Shkodrës, të pranishëm ishin dhe klerikë të komunitetit mysliman e ortodoks. Topalli çmoi lart paraardhësit e kishës katolike si përçuesit e dijes dhe mençurisë që u persekutuan mizorisht për aspiratat e tyre për një Shqipëri të lirë dhe europiane.
Klerikët e Arqipeshëvisë shprehën kënaqësinë që Shkodra por dhe qytetet e tjera të vendit po i kalojnë Krishtlindjet në një atmosferë ndryshimi që reflekton mirëqënie e shpresë për të ardhmen. Duke uruar Krishtlindjet besimtarëve katolikë dhe atyre myslimanë, Topalli u shpreh “Gëzuar Krishtlindjet të gjithë juve, që jeni sot këtu, besimtarëve katolikë, myslimanë, gjithë qytetarëve të Shkodrës e mbarë Shqipërisë. Qoftë kjo një ditë e një shprese më të madhe, një ditë e ndryshimeve edhe më pozitive”.
Topalli specifikoi në mënyrë të veçantë se “këto Krishtlindje e kanë gjetur Shkodrën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, në vitin e tyre më të bukur”.
Kryetarja e Kuvendit nuk la pa kujtuar dhe uruar qytetarët e Kosovës, duke theksuar se “Ështe viti kur Kosova feston Krishtlindjet e pavarur, Shqipëria mori ftesën për në NATO, Shqipëria po ecën përpara me ratifikimin e MSA-së dhe të Protokollit në NATO-s , Shqipëria që ecën përpara me një rritje ekonomike prej 10 %”, Topalli kujtoi se “ky vend feston sot Krishtlindjet me më shumë shpresë, se një vit më parë apo aq më tepër se disa vite më pare”.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi që gjithë njerëzit të kudondodhur të kalojnë bukur këtë ditë në familjet e tyre, të jenë të lumtur në jetën e tyre.
Presidenti i Republikës Bamir Topi
“Religjionet misionare të forcimit të
demokracisë në Shqipëri”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, me rastin e Krishtlindjeve kanë vizituar ditën e djeshme Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos dhe më pas Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku mirëseardhjen ia uroi Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita.
Duke uruar të gjithë besimtarët e krishterë kudo ndodhen, kreu i Shtetit u shpreh se “natyrisht që sot është një ditë shumë e veçantë, një ditë e gëzuar. Dëshiroj të jap një mesazh urimi për të gjithë besimtarëve të krishterë dhe ky mesazh është për të gjithë popullin shqiptar”.
Në këtë ditë të shenjtë kreu i Shtetit, e përcolli këtë urim edhe për besimtarët e feve të tjera, duke vlerësuar se “besoj se nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se Festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin. Kjo është shenjë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë, më shumë harmoni”, tha Presidenti Topi.
Kreu i Shtetit vlerësoi se “religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria dhe kanë qenë misionare të forcimit të demokracisë në Shqipëri, kështu që kemi ç’ka të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh”, tha Kreu i Shtetit.