E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat e “të urtëve” të PS dhe LSI,pa asnjë shans për konkretizim pozitiv

Kodi Zgjedhor, Meta i dorëzohet verdiktit të PS-së për mospërfaqësimin në KQZ. Pritet thellimi i përçarjes në kampin e majtë

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim e ka pritur në dukje me një mungesë interesi
vendimin e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore për miratimin e Kodit
të ri Zgjedhor, vetëm duke miratuar një dispozitë kalimtare për shpalljen e datës
së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
“Nuk më duhet se çfarë komisioni për reformën ka vendosur dje. E rëndësishme është që viti 2009 do të sjellë më shumë paqe dhe begati për shqiptarët”, deklaroi dje kreu i LSI-së, Ilir Meta, për gazetarët duke dalë nga selia e Kishës Ortodokse, duke lënë kështu të kuptojë pranimin de fakto të këtij verdikti dhe garimin me një koalicion të vetin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Vetëm një ditë më parë në përfundim të mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Fatmir Xhafa konfirmoi se në Kodin e ri Elektoral është miratuar një dispozitë transitore e cila përcakton kohën e zgjedhjeve vetëm për Zgjedhjet e vitit 2009.
Sipas kësaj dispozite, presidenti është i lirë të vendosë datën e zgjedhjeve, jo më vonë se 7 ditë pasi “Kodi Zgjedhor” të hyjë në fuqi në fletoren zyrtare. Kjo dispozitë kalimtare do ti shkojë për votim kuvendit në momentin kur konferenca e kryetareve të grupeve kuvendore do të vendosin ta fusin atë në rendin e ditës për dy seancat e fundit të këtij viti, të hënën ose të martën e javës së ardhshme. Xhafa tha gjithashtu se në komision nuk janë shqyrtuar amendamentet e LSI-së e PDK-së, megjithëse ato u futën në grevë 10 ditore kundër disa neneve të Kodit Zgjedhor.
“Në mbledhjen e sotme është marrë në shqyrtim vetëm amendamenti i presidentit Topi”, tha Xhafa.
Sipas tij amendimet e LSI-së e PDK-së nuk kanë qenë objektive dhe për këtë arsye nuk janë marrë në shqyrtim. Dhjete deputete te LSI-së e PDK-së u futën në një grevë 10-ditore për të kundërshtuar disa nene të Kodit Zgjedhor, që sipas tyre përjashtojnë partitë e vogla nga përfaqësimi në Zgjedhje.
Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur shpesh se ligji zgjedhor është bërë në bashkëpunim midis PS-së dhe PD-së, të cilat sipas saj kërkojnë të uzurpojnë procesin zgjedhor, duke përjashtuar partitë e vogla nga përfaqësimi. Por me gjithë kundërshtimet e tyre, parlamenti miratoi Kodin Zgjedhor me shumicë votash në fillim të këtij muaji. Ka qenë presidenti Bamir Topi, i cili e rikthen dhe njëherë për rishqyrtim kodin zgjedhor, duke bashkangjitur edhe amendamentet e tij. Pas aprovimit dy ditë më parë Komisionin e Reformës Zgjedhore të amendamenteve të Topit, ligji pritet të kalojë në parlament për miratim.

Risitë e Kodit Zgjedhor

Ligji i ri zgjedhor, i cili përmban 185 nene, sjell një numër risish duke filluar nga ndryshimi i sistemit elektoral, balancimi i komisioneve zgjedhore, financimi i fushatave elektorale, numërimi i votave etj.

- Kodi i ri Zgjedhor bën kalimin e sistemit zgjedhor nga i përzier në proporcional rajonal, i cili e ndan Shqipërinë në 12 qarqe.
- Harta e re elektorale përbëhet nga 12 zona zgjedhore, ku secila i korrespondon një qarku dhe mandatet do të llogariten në bazë të votave që partia apo koalicioni ka marrë për secilin qark.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përbëhet nga 7 anëtarë. Anëtari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Komisioni zonal i administrimit te zgjedhjeve (KZAZ) dhe KQV-të do të përbëhen nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas formulës së zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Ndërsa grupet e numërimit përbëhen nga 4 anëtarë, ku nga një anëtar u takon dy partive të mëdha dhe anëtarët e tjerë zgjidhen me short.
- Kuvendi i Shqipërisë zgjedh 2 anëtarë të KQZ-së nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga të partitë e vogla të mazhorancës dhe i gjashti nga kandidaturat e propozuara nga partitë e vogla të opozitës.
- KQZ vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre.
- Pajisja e shtetasve me karta identiteti për të marrë pjesë në votim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›