“Kundërshtimi i opozitës për ligjin e dosjeve, tregues i lidhjeve të saj me ish-regjimin e Hoxhës”
Deputeti i PD-së Genc Juka shpjegon në një intervistë për gazetën “55”, reformat mw tw fundit të qeverisë
“Gjatë mandatit të saj, qeveria Berisha ka ndërmarrë një seri nismash dhe reformash të suksesshme, të cilat përbëjnë themelin e programit të saj. Të tilla, do të përmendja reformat institucionale, veçanërisht ajo në sistemin e drejtësisë, reforma fiskale e cila ka krijuar shumë fasilitete për biznesin shqiptar, iniciativa “Shqipëria 1 Euro”, e cila nxit investimet e huaja në Shqipëri, reforma me background social në sistemin e pagave dhe të pensioneve, reforma në arsim veçanërisht në arsimin e lartë, projekte gjigante në infrastrukturë, si rruga Durrës-Kukës, reformimi i ushtrisë duke na afruar më shumë se kurrë me NATO-n, e shumë e shumë të tjera. Të gjitha këto reforma dhe iniciativa përkthehen në progres të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke na dhënë të drejtën si mazhorancë qeverisëse të kërkojmë edhe një mandat tjetër, për të përmbushur ëndrrën e shumëdëshiruar të çdo shqiptari, anëtarësimin në BE”
TIRANE - Deputeti i PD-së Genc Juka në një intervistë për gazetën “55” ndalet në çështjen më të debatuar politike të kohëve të fundit, ligjin për hapjen e dosjeve. Sipas tij, ky ligj lan njëherë e mirë hesapet në planin moral, për të gjitha krimet e diktaturës komuniste 45 vjeçare. Juka thekson se duhet të distancohemi njëherë e mirë nga reminishencat negative të sistemit më gjakatar në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Ai thekson se ky ligj është një detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj viktimave të komunizmit dhe kjo është më e pakta që mund të bëhet për një shoqëri të traumatizuar nga ai sistem.
Ndërsa kundërshtimi me fanatizëm që opozita bën në lidhje me miratimin e këtij ligji provon edhe njëherë se e majta vazhdon të ruajë lidhje shpirtërore me ish regjimin e Hoxhës.
Miratimi i ligjit të dosjeve i shtohet listës së gjatë të nismave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria Berisha dhe që na jep të drejtën si mazhorancë të kërkojmë edhe një mandat të dytë për të përmbushur ëndrrën e çdo shqiptari, anëtarësimin në BE.
Sapo është miratuar së fundi ligji për hapjen e dosjeve. Si e komentoni ju këtë proces?
Në opinionin tim, ligji për hapjen e dosjeve është ndër më të rëndësishmit e parlamentit pluralist në Shqipëri. Ai lan njëherë e mirë hesapet në planin moral, për të gjitha krimet e diktaturës komuniste 45-vjeçare në Shqipëri, një epoke që fshiu me dhunë vlerat e perspektivën e këtij vendi, pasojat e së cilës vuajmë edhe sot si shoqëri. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit ish-komuniste të Evropës Juglindore që ende nuk ka bërë publike arkivat e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, të cilat njihen për famën e keqe në përgjimin, keqtrajtimin, burgosjet dhe vrasjet e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë. Mbetemi të vonuar në këtë iniciative, ndaj të gjithë së bashku, si shprehës dhe mbrojtës të interesave të një populli, i cili prej vitesh e kërkon një gjë të tillë, duhet ta denoncojmë genocidin komunist jo vetëm me fjalë, por edhe me ligj. Të distancohemi njëherë e përgjithmonë nga reminishencat negative të sistemit më gjakatar në të gjithë Evropën Lindore dhe Qendrore, të spastrojmë institucionet e një shteti demokratik nga individët që i kane shërbyer regjimit në masakrimin dhe persekutimin që ky i fundit i bëri individit dhe një shoqërie të tërë, për fajin e vetëm se ajo aspironte mendimin e lirë dhe perspektiven evropiane. Do të ishte absurditet i madh që të mbeten kapardisur në nivelet e ndryshme të administratës shtetërore ish-sigurimsat e regjimit komunist, ndërsa me qindra e mijëra njerëz të rinj nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë dhe të tjerë, te shkolluar madje edhe në perëndim, janë të pa punë dhe të detyruar të marrin rrugët e mërgimit.
A mendoni se ky miratimi i ligjit te dosjeve është një detyrim ndaj shoqërisë shqiptare dhe viktimave të komunizmit?
Pa dyshim, dhe për mendimin tim, kjo është më e pakta që mund të bëhet për një shoqëri të traumatizuar nga ai sistem dhe të gjithë ata individë që u persekutuan, torturuan, burgosën, internuan, vranë dhe denigruan për fajin e vetëm se aspironin demokracinë, se guxuan të artikulonin fjalën e lirë. Duke parë statistikat e terrorit dhe genocidit komunist të ushtruar gati gjysmë shekulli nga regjimi i Hoxhës mbi shqiptarët, jo ne qe i kemi përjetuar por dhe çdo individ pa asnjë lidhje me Shqipërinë nuk mund t’i kalojë në heshtje. Një populli të tërë ju mohuan të drejtat e tij më minimale të ekzistencës, që nga e drejta për shkollim e deri tek e drejta e besimit, ku të gjithë ishin të dënuar me punë të detyruar, jo për shtetin e tyre, as për vendin e tyre, jo për familjen e të afërmit e tyre, por për partinë, partinë të identifikuar në mënyrë cinike me klasën punëtore. Çdo krim dhe e keqe që i bëhet qoftë dhe një individi, shteti dhe shoqëria duhet ta ndëshkojnë, pasi kanë detyrimin për të vendosur drejtësi. Kur ky krim është kryer ndaj një kombi dhe një populli të tërë, parimi i vendosjes së drejtësisë është kusht i pazëvendësueshëm. Problemi themelor moral si për botën e qytetëruar, ashtu edhe për ne është vendosja e paqes shoqërore dhe stabilitetit të brendshëm të një populli të traumatizuar.
Ligji për hapjen e dosjeve konsiderohet si një hap drejt forcimit të demokracisë në vendet postkomuniste por si i interpretoni ju reagimet kundërshtuese që vinë nga ana e opozitës?
Është fakt i pamohueshëm që ndonëse prej 18 vjetësh jemi ndarë përfundimisht nga sistemi komunist, frymëzues, mbështetës dhe shërbëtore të denjë të klikës diktatoriale, vazhdojnë të mbështillen me demokracinë, brenda partive dhe organizatave të tjera politike, shoqërore, jo qeveritare, brenda institucioneve të drejtësisë e deri në parlament, në mjediset shkencore e akademike. Dhe kjo është e pafalshme, pasi institucionet në shoqëritë demokratike duhet të ndërtohen me njerëz me integritet moral dhe profesional, të papërlyer direkt ose indirekt me krime. Ky është një nga parametrat e demokracisë së vërtetë, i cili garanton drejtësi, pavarësi institucionesh dhe integrim të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Sa i takon qëndrimeve në lidhje me këtë ligj, në individë të caktuar po edhe përmes politikanëve vërejmë një fare skepticizmi në lidhje me mënyrën sesi do të implementohet në praktikë ky ligj, duke pasur parasysh këtu preferencat selektive apo edhe vështirësitë objektive prej mungesës apo asgjësimit që i është bërë dokumentacionit sapo sistemi ra. Ndërsa për fat të keq, në qëndrimin ekstrem “en-block” të opozitës vihet re një kundërshtim me fanatizëm që i bëhet ligjit, duke provuar edhe një herë se e majta vazhdon të ketë lidhje të ngushta shpirtërore me sistemin diktatorial të Hoxhës, se brenda saj “strehohen” individë mëkatarë dhe me duar të “përgjakura”. Pavarësisht vështirësive që mund të ketë zbatimi në praktikë i ligjit, unë edhe njëherë dëshiroj ta theksoj se si klasë politike, ligjin për pastërtinë e figurave ia kemi borxh Shqipërisë dhe shqiptarëve; e kemi obligim në kuadër të reformave integruese që po implementojmë, për t’i treguar botes se drejtojmë vendin me një klasë të pastër, përmes ligjit dhe rregullave të një sistemi demokratik; dhe se ecim drejt progresit, zhveshur nga çdo reminishencë e sistemit që na la në errësirë mendimi dhe varfëri ekonomike ekstreme.
Ligji i dosjeve është një hap që u iniciua nga qeveria Berisha. Gjithashtu gjatë këtij mandati qeverisës janë ndërmarrë nisma dhe reforma të parealizuara më parë, ç’mund të thoni në lidhje me këtë fakt?
Ligji i dosjeve u iniciua nga qeveria Berisha, si vazhdim i një nisme të ndërmarrë që gjatë mandatit të parë qeverisës që fitoi PD në vitin 1992. Gjatë këtij mandati, qeveria demokratike i kushtoi një vëmendje të veçantë rehabilitimit në aspektin financiar, profesional dhe arsimor të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Pavarësisht mbështetjes së dhënë për këtë shtresë, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ende jemi debitorë me këtë kategori të persekutuar të shoqërisë shqiptare, pasi ndonëse është folur shumë nëpër tribuna dhe foltore, ku janë denoncuar në terma të përgjithshëm krimet e klikës kriminale komuniste, nuk është ndërmarrë asnjë iniciative ligjore dhe ndaj personave që i kanë shërbyer me zell sistemit në krimet qe ai kreu ndaj shqiptarëve, nuk është ndërmarre asnjë akt formal për t’i bërë publike emrat e tyre dhe për të “ndaluar” me ligj që ata të ushtrojnë funksione të larta politike dhe shtetërore. Siç e thatë edhe ju, gjatë mandatit të saj, qeveria Berisha ka ndërmarrë një seri nismash dhe reformash të suksesshme, të cilat përbëjnë themelin e programit të saj. Të tilla, do të përmendja reformat institucionale, veçanërisht ajo në sistemin e drejtësisë, reforma fiskale e cila ka krijuar shumë fasilitete për biznesin shqiptar, iniciativa “Shqipëria 1 Euro”, e cila nxit investimet e huaja në Shqipëri, reforma me background social në sistemin e pagave dhe të pensioneve, reforma në arsim veçanërisht në arsimin e lartë, projekte gjigante në infrastrukturë, si rruga Durrës-Kukës, reformimi i ushtrisë duke na afruar më shumë se kurrë me NATO-n, e shumë e shumë të tjera. Të gjitha këto reforma dhe iniciativa përkthehen në progres të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke na dhënë të drejtën si mazhorancë qeverisëse të kërkojmë edhe një mandat tjetër, për të përmbushur ëndrrën e shumëdëshiruar të çdo shqiptari, anëtarësimin në BE.
Intervistoi.